Kosovë, kthehet në rigjykim rasti i Enver Sikiraqës

Gjykata e Apelit në Kosovë ka kthyer në gjykim rastin e Enver Sekiraqës që akuzohet për “shtytje në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”, në rastin e vrasjes së policit Triumf Riza.

“Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, duke aprovuar ankesën e palës mbajtëse, e ka kthyer në rigjykim rastin e të akuzuarit E.S. Ky i fundit muaj më parë ishte shpallur fajtor nga ana e Gjykatë Themelore në Prishtinë, për veprën penale “ Shtytja në kryerjen e veprës penale vrasje e rendë” nga neni 24 dhe 147 par.3 dhe 9 i Kodit Penal të Kosovës, më ç’ rast ishte dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 30 viteve”, thuhet në komunikatën e Apelit.

Kolegji prej tre gjyqtaresh i kësaj gjykate, gjeti se aktgjykimi i ankimuar është nxjerrë në kundërshtim më dispozitat e nenit 384 të Kodit të Procedurës Penale, kjo ngase gjykata e shkalles së parë nuk ka përfillur dispozitat që ka në të bëjnë me shqyrtimin gjyqësor.

Po ashtu Gjykata e Apelit, vlerësoi se aktgjykimi në fjalë, është i pa qartë, i pa kuptueshëm dhe kontradiktor në brendinë e tij, dhe së është i bazuar në prova dhe dëshmi të cilat nuk janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor. Për këto dhe arsye tjera u vendos që çështja t’i kthehet edhe njëherë gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.