Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, ka njoftuar për 53 raste të reja me koronavirus të shtunën, ndërsa shtatë persona janë shëruar.
“Rastet pozitive janë nga: komuna e Vushtrrisë 18 raste (sipas vendbanimit: 11 raste Stanovc i epërm, 4 raste Vushtrri, 1 rast Gllavotin, 1 rast Maxhunaj dhe 1 rast Dumnicë e poshtme), komuna e Prishtinës 18 raste (sipas vendbanimit: 18 raste Prishtinë), komuna e Istogut 11 raste (sipas vendbanimit: 11 raste Shushicë), komuna e Rahovecit 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Fushë Kosovë, Skifteraj-Viti dhe Pejë”.
“Nga data 08 shkurt deri më 13 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 18.247 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.437 raste, me gjithsej 32 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Instituti Kombëtar ka bërë të ditur se mosrespektimi i masave mbrojtëse mund të çojë në rikthimin e masave më rigoroze.
Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në 1,437.
Prej tyre, 928 pacientë janë shëruar dhe 32 kanë vdekur.