Kosova t’i kërkojë dëmshpërblime Serbisë sikur Izraeli, t’u kthehen pronat e shqiptarëve të dëbuar!

Qeveria e Kosovës duhet të ndërtojë një platformë të mirëfilltë, të përgatitur në nivelin më të lartë shkencor, si atë historik, juridik, pronësorë (të tapive), gjeografik (demografik), ekonomik etj., për dëmet e pariparueshme të shkaktuara ndaj shqiptarëve, nëpërmjet gjenocideve, etnocideve, kulturocidit dhe dëmeve tjera të kryera nga Beogradi.

Përveç se këto mundësi burojnë nga ligji ndërkombëtar, shqiptarët duke qenë një prej popujve më tragjik, duke u masakruar, dëbuar, zhdukur nga trevat e tij etnike, duhet të shfrytëzojë edhe të drejtën që e kanë krijuar izraelitët, pas Luftës së Dytë Botërore.

Kjo e drejtë e tyre, që shumë pak e ka tërhequr për debat vëmendjen e opinionit, është reflektuar edhe në Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia, vitin e kaluar, sipas së cilës duhet t’i njihet e drejta e trashëgimisë, edhe të pronave të hebrenjve, që nuk i ka kërkuar askush deri më sot.

“Të dyja palët zotohen se do të mbrojnë … vazhdimin e kthimit të pronave pa trashëgimi nga periudha e Holokaustit, si dhe të pronave hebreje që nuk i ka kërkuar askush”, thuhet në Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar në shtator të vitit të kaluar.

Pra, shqiptarët duhet të kërkojnë pronat, dhe kompensimin e tyre së paku nga viti 1876 e deri në vitin 1998, në gjithë territorin e Serbisë së sotme, dhe për krimet e kryera edhe në territorin e Kosovës.

Ndërsa, për pasojat dhe dëmet e luftës gjatë luftës së fundit, 1998-1999, t’i kërkojnë veçmas.

Vetëm nga Sanxhaku i Nishit u shkatërruan 700 fshatra shqiptare, dhe u dëbuan

Shqiptarët mund të kërkojnë zhdëmtim, që nga viti 1804, datë kur njihet si fillimi i kryengritjes serbe, dhe kur nis dhuna sistematike ndaj shqiptarëve myslimanë. Dëbim masiv u bë edhe nga Sanxhaku i Smederevës, dhe atë me mbështetje ndërkombëtare, sipas studiuesit Prof.Dr.Ramiz Avdylit. “Serbia pati mbështetjen e gjithanshme të Rusisë dhe të Francës për dëbimin e shqiptarëve, e të jo serbëve nga Sanxhaku i Smederevës në Konferencën ndërkombëtare të Kalnixhes, pranë Stambollit (1862)”, shkruan ai.

Image

Shqiptarët e dëbuar nga Serbia nga Sanxhaku i Nishit

Foto galeri

Ndërsa, në Sanxhakun e Nishit jetonin rreth 250.000 banorë shqiptarë autokton të vendosur në mbi 700 vendbanime vetëm me banorë shqiptarë, por edhe në të përziera ku jetonin serbë, çerkezë etj.

Veçmas me fitimin e Autonomisë nga Perandoria Osmane, në vitin 1833 Serbia kishte filluar planet për pushtimin e trevave shqiptare.

Sipas katalogut të botuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave (ASHA) të titulluar “Dëbimi i shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit 1877/78”, vetëm nga ky territor janë dëbuar mbi 250 mijë shqiptarë, që përbënin shumicën e popullsisë së përgjithshme.

Madje kjo, dhe dëbimet tjera të shqiptarëve janë bërë në mënyrë sistematike dhe programore, bazuar në platformat antishqiptare akademike, dhe të aprovuara nga shteti, si “Naçertanija” e Ilija Grashaninit.

“Ky program u konstruktua në vitin 1844, ndërkohë që nisë të realizohet gjatë dhjetorit 1877 dhe janarit 1878, duke vazhduar më vonë në vitin 1912”, thuhet në katalog.

Kjo nisi të realizohet pas nënshkrimit të disfavorshme të Marrëveshjes së paqes të Shën Stefanit, ndërmjet Perandorisë ruse dhe asaj Osmane, pas humbjes së kësaj të fundit në Azi, Rusia e detyroi t’i jepte territore dhe më shumë autonomi principatave dhe shteteve ortodokse, serbe, malazeze, greke etj.

Historiografia shqiptare përgjithësisht flet për mbi 700 fshatra etnikisht me shqiptarë e me shumicë shqiptare, autokton në Sanxhak të Nishit. Sipas të dhënave atje jetonin së paku 250 mijë shqiptarë. Por, asnjëherë nuk flet se sa qytete dhe që po ashtu ishin me shumicë shqiptare, përfshirë vetë qendrën e Sanxhakut, Nishin.

Ky përshkrim dramatik nga ASHA, të drithëron edhe sot, për vuajtjet e shqiptarëve, të cilat ndodhën edhe drejtpërdrejt me pjesëmarrjen ruse. “Pas 16 dhjetorit 1877, ushtria serbe do ta fillojë fushatën më tragjike që është zhvilluar ndonjëherë në Ballkan kundër popullsisë së pambrojtur shqiptare të Sanxhakut të Nishit.

Divizionet serbe të Danubit dhe Moravës sulmojnë popullsinë civile, duke vrarë e masakruar pleq, gra, fëmijë etj. Ua vënë flakën vendbanimeve shqiptare, djegin shtëpi dhe objekte të tjera të pronarëve shqiptarë. Çdo gjë e shndërrojnë në hi e pluhur.

Serbia në këtë luftë ushtroi një spastrim masiv të popullsisë shqiptare, ku në këtë krim u mbështet edhe nga forcat ruse”.

Shqiptarët qenë dëbuar që më parë nga Beogradi. Fillet e dëbimit janë që në shekullin e 18-të. “Vetëm në vitin 1743 nga Beogradi u larguan 1000 familje shqiptare”, thuhet në Katalogun e ASHA-së. Pra, i bie se së paku qysh në atë dëbim, të jenë larguar rreth 10 mijë shqiptarë, që ndoshta edhe mund të kenë qenë një % e konsiderueshme e banorëve të qytetit. Por, ky është vetëm fillimi, dëbimi i dytë masiv i shqiptarëve nga Beogradi do të ndodhë në shekullin e 19-të, nga viti 1802-deri në Kongresin e Berlinit, 1878, që do ta njoh shtetin serb.

Fati i shqiptarëve ortodoks?

Por, është për t’u habitur, dhe madje duke e lënë në duar të manipulimit të Serbisë dhe serbëve, fatin e shqiptarëve ortodoks. Mungojnë të dhëna studimore, se sa shqiptarë ortodoksë kanë mbetur nën okupimin e Serbisë, dhe sa % të popullsisë së mbetur e përbënin ata. Dihet se trevat e Kosovës, e deri në Beograd, shqiptarët kryesisht i takonin besimit ortodoks.

Image

Shqiptarët e Sanxhakut të Nishit

Foto galeri

Sipas kësaj dogme të thurur nga strategët garashanian, i bie që në Kosovë ka pasur kryesisht katolik dhe ata u konvertuan në islam. Bazuar edhe në ekzistencën e sotme, rezulton se besimtarët katolik, i kanë rezistuar më shumë asimilimit fetar dhe etnik, se sa ata ortodoks, pasi të ndodhur nën ndikimin e fesë dhe trysninë e pushtetit, shqiptarët konvertoheshin më lehtë në serb, malazes, grek dhe si ka ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore në sllavo-maqedonas, ku ende nuk është shuar ky ndikim.

Studiuesi Dr.Qazim Namani, ka argumentuar edhe me hulumtime rrëfimore dhe historike, lidhjet e gjakut të ‘serbëve’ që jetojnë në Kosovë dhe në zonat kufitare si ato me Podujevën, me shqiptarët e besimit islam.

Pra, ky hetim, duhet të kthehet në tezë shkencore për kërkime të shumëfishta, në të dhëna arkivore, në Turqi e në Serbi, për kërkime të trashëgimisë në fushat tjera, si etnologji, numizmatikë, gjuhësi etj, pra për hetimin e çështjes së shqiptarëve ortodoks të mbetur në territorin e sotëm të Serbisë, nga viti 1743 e këndej.

Lidhur me këtë tezë, të elementit ortodoks shqiptarë, studiuesi Namani jep të dhëna me rëndësi. “Para vitit 1867 të krishterët vllahë nga Maqedonia dhe shqiptarët ortodoks nga viset jugore e përbënin grupin ma të madh të popullatës dhe njiheshin si toskë, të cilët u bënë faktori kryesor në formimin e profilit etnik të popullatës së Beogradit”, shkruan Namani.

Pra, shqiptarët ortodoks, jo vetëm që kanë qenë të pranishëm në territorin e Serbisë së sotme, por edhe në Beograd, ku ata kanë luajtur rol qenësor në formimin e etnisë serbe atje dhe më tej.

Pronat

Sipas historianit Jusuf Buxhovi, edhe Kongresi i Berlinit parashihte që shqiptarët e dëbuar të ktheheshin në pronat e tyre, dhe po ashtu edhe e drejta e dëmshpërblimit, po ashtu edhe ata që nuk mund të ktheheshin gëzonin të drejtën e ruajtjes së pronave.

“Kongresi i Berlinit solli edhe tri vendime: i pari garantonte kthimin e popullatës së zhvendosur gjatë luftimeve në shtetin e quajtur Serbi, nëse ajo kthehej. Me vendimin e dytë, popullatës që nuk kthehej, i garantohej dëmshpërblimi i pronave. Ndërsa me vendimin e tretë, popullatës që nuk kthehej, por dëshironte t’i mbante pronat, ato u garantoheshin, me kusht që të dëshmoheshin me tapi valide”, ka deklaruar Buxhovi.

Por, as këto vendime nuk u zbatuan kurrë nga Serbia.

Pra, përveç se bazuar në të drejtën ndërkombëtare, bazuar edhe në vendimet e Kongresit të Berlinit, dhe bazuar edhe në të drejtën e shembujve izraelit, për të kërkuar prona edhe në vende si Kosova, ku shqiptarët ishin i vetmi vend në Europë që i ka mbrojtur të gjithë hebrenjtë nga nazizmi.

Pra, përveç padisë për gjenocid shqiptarët, përkatësisht dy shtetet tona, mund të ushtrojnë padi për kthimin e pronave dhe zhdëmtim për pronat e uzurpuara.

Përveç kërkimit të kthimit të pronave në Sanxhakun e Nishit, shqiptarët duhet të kërkojnë edhe kthimin e pronave dhe zhdëmtim për pronat në ish Sanxhakun apo pashallëkun e Beogradit.

Po, sipas studiuesit Namani, pronat e shqiptarëve (por edhe të myslimanëve të tjerë) u ndanë nga popullata e mbetur në Beograd, pas dëbimit të tyre. “Popullata e Beogradit gjithnjë vinte duke u diferencuar në aspektin fetar, etnik dhe social. Në vitin 1867 myslimanët u detyruan ta braktisin qytetin, shtëpitë dhe pasuria e tyre ju nda qytetarëve serb”, shkruan Namani.