Kosova ta rritë gatishmërinë ushtarake dhe policore në veri / Veprimet kriminale janë intensifikuar me ngjarjet në Ukrainë

Ditë më parë në afërsi të liqenit të Ujmanit në pjesën veriore të Mitrovicës, përderisa zyrtarët policorë të kufirit kanë vërejtur një kamion, i cili dyshohej për kontrabandë mallrash, gjatë tentimit për ta ndaluar të njëjtin, janë penguar nga dy automjete civile pa targa.

Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Kosovës përmes një postimi në Facebook.

Dy automjetet civile, me lëvizjet e tyre dhe krijimin e pengesave në rrugë, kanë penguar zyrtarët policorë duke ua pamundësuar ndaljen e kamionit, i cili dyshohej për kontrabandë mallrash”, thuhet në njoftim.

Për më tepër, policia njofton se lidhur me rastin janë alarmuar edhe njësitet tjera relevante policore, të cilat kanë asistuar zyrtarët kufitarë, për hetim dhe kërkim të personave dhe automjeteve të dyshuara.

Ikjet e pabesueshme e të pashpjegueshme

Se a nënkupton kjo se ka filluar një luftë speciale e Serbisë në veri, me provokime në terren, për “Bota sot”, flasin disa njohës të çështjeve politike.

Lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se ndaj luftës speciale të Serbisë nuk jemi as sot në gjendje t’i kundërvihemi, përfshirë edhe momentin kur policisë i ikë krimineli pa asnjë gjurmë, madje edhe kamioni me mallra kontrabandë.

Image

Gani Qarri

Qarri thotë se Serbia na provokon qe sa kohë, por është i çuditshëm sipas tij, fakti se si ende organet e sigurisë së Kosovës nuk janë në gjendje ta parandalojnë një kamion kontrabandë nga Serbia.

Në fakt, ikjes së pabesueshme të kamionit, i parapriu ikja e pashpjegueshme e udhëheqësit të bandave kriminale serbe të veriut, kriminelit Milan Radojçiq vetëm pak ditë më parë nga pika kufitare me Serbinë, në Bërnjak. Ndaj kjo dëshmon hapur, se luftës speciale të Serbisë, jo vetëm që kurrë nuk ka pasur kush t’i përgjigjet me kohë, por as sot nuk jemi në gjendje të manovrojmë si shtet dhe kryejmë me nderë e si duhet, mbrojtjen e vendit tonë në gjithë territorin, madje as në dy raste kaq të vogla “civile”, për të mos thënë edhe qesharake, kur policisë së shtetit, i ik pa asnjë gjurmë, jo vetëm krimineli në kufi, por edhe kamioni me “mallra kontrabandë”, në brendësi të thellë të territorit të Kosovës! Përndryshe lufta speciale e Serbisë me provokime në terren dhe propagandë e gënjeshtra në media, ka nisur qysh në vitet 1999-2000, në veri të Kosovës, por habit shumë fakti se si policia dhe organet e sigurisë të Republikës së Kosovës, as sot, gati 23 vite pas lufte, ende nuk janë në gjendje dhe të përgatitura, që ta parandalojnë qoftë edhe një kamion të vetëm, me “mallra” kontrabandë nga Serbia, brenda tokës tonë”, ka potencuar ai.

A mund të ishte kontrabanë me armë?

Sipas Qarrit, kamioni mund të kishte qenë i mbushur me materiale të tjera luftarake, pra si parapërgatitje, që pas ndonjë lufte në mes Rusisë dhe Ukrainës të shpërthej edhe nga Serbia.

E për tu bërë rasti edhe më tragjikomik, ikja e kamionit dëshmoi se edhe vet policinë e shtetit, qenkan në gjendje ta penguakan vetëm dy vetura civile pa tabela, ndaj lind pyetja e frikshme për të mos thënë edhe plotësisht trishtuese, se çfarë do të bënin organet tona mbrojtëse, po qese Serbia tenton të futet me polici dhe ushtri në veri të Kosovës?! Shpjegimi i pa krip dhe tërësisht burracak mbi mënyrën e ikjes së kamionit pa gjurmë, bëhet edhe më i tmerrshëm, kur të kihet parasysh fakti se kamioni i futur ilegalisht nga Serbia mund të ketë qenë i mbushur, plot me armatime, municion e materiale tjera luftarake, si parapërgatitje, që në rast të eskalimit të luftës Rusi-Ukrainë, të shpërthej ndonjë aventurë e re, e “papritur” ndoshta edhe në formë të kryengritjes së armatosur në veri, që Serbia ta përdorë si arsyetim, për ndonjë intervenim të mundshëm ushtarak në vendin tonë”, shtoi Qarri.

Të merren në përgjegjësi shefat në polici, në AKI, në MPB

Më tej deklaroi se dështimi për parandalimin e kamionit, po dëshmon se nuk jemi në gjendje t’i ndalim sulmet nga Serbia.

Qarri propozon që të shkarkohet Sveçla, sepse sipas tij, nuk është i duhuri për këtë post.

Kështu që, vet dështimi i turpshëm i policisë që ta ndalojë edhe një kamion të thjeshtë të ashtuquajtur me “mallra kontrabandë”, edhe brenda Kosovës, fatkeqësisht dëshmon, para qytetarëve, se sa (nuk) jemi në gjendje ta parandalojmë një sulm frontal ushtarak të Serbisë, në këtë pjesë të territorit të vendit tonë. Dhe më e pakta që me këtë rast, mund të bëhet nga Qeveria aktuale, është shkarkimi i menjëhershëm i Xhelal Sveçlës, që edhe ashtu nuk i ka bindur kurrë qytetarët e Kosovës, se është i denjë për postin e falur nga Kurti, zëvendësimin e komandantit të policisë dhe atë të AKI-së, e cila kohët e fundit ka rënë në gjumë të thellë, tregon plogështi të pashpjegueshme dhe defensivë totale, dhe njëjtë si qytetarët e thjeshtë, edhe ajo i merr vesh rastet vetëm pasi të ndodhin në vend”, thotë ai.

Më tej shtoi se në këto momente Kosova duhet të zgjedhë udhëheqës më të përgatitur, e të mos ndodh më një rast i tillë si ky i fundit, dhe sipas tij, duhet të shkarkohen personat përgjegjës të cilët janë në krye të MPB-së.

Kosova në këto momente kaotike, duhet të zgjedhë njerëzit më të zot dhe udhëheqësit më të përgatitur, për të udhëhequr institucionet më jetike për sigurinë e vendit dhe mbrojtjen e çdo pjese të shtetit, e jo të zhvillohen lojëra të tilla kalamajsh, se kinse dy vetura civile, qenkan në gjendje ta zmbrapsin policinë e Kosovës, që ajo, jo vetëm të mos arrij ta ndalojë edhe një kamion civil, por kamioni i mbushur me ngarkesë të dyshimtë, edhe t’i ikë krejt, duke humbur edhe gjurmët se ku mbet, në territorin e vendin tonë. Kjo është e tepërt, shumë e rëndë dhe tërësisht e patolerueshme, prandaj shteti duhet të tregojë përfundimisht se ekziston edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës dhe nuk lejon të luhet me të, si me kalamajtë, gjë që mund të arrihet vetëm me shkarkimin e personave përgjegjës në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës dhe AKI-së, së dështuar, e cila edhe ajo njëjtë si qytetarët e thjeshtë, i merr vesh rastet vetëm pasi të ndodhin në Kosovë”, ka përfunduar Qarri.

“Kosova tarritë gatishmërinë ushtarake dhe policore”

Juristi Muhamet Kelmendi, thekson se provokimet serbe në veri kanë qenë vazhdimisht prezente, madje edhe ndaj policëve po veprohet në mënyrë kriminale.

Image

Muhamet Kelmendi

Sipas Kelmendit, krimi do të rritet, kështu pra pritet që Serbia ta provokojë Kosovën. “Sukseset e rusëve në Ukrainë janë mjet i fortë për veprimet shovenoserbe në Kosovë, provokimet në veri nga Serbia nuk janë ndalur kurrë. Ato kanë qenë prezente vazhdimisht në Kosovë. Të kujtojmë bllokimet e rrugëve në Jarinjë dhe në Bërnjak. Kështu ka qenë edhe me “Rojet e Urës së Ibrit”. Po veprohet në mënyrë kriminale edhe gjatë punës rutinore të policisë së Republikës. Kriminelët serbë të përkrahur nga Serbia janë vënë në veprim. Krimi do të rritet. Në veçanti, veprimet kriminale janë intensifikuar me ngjarjet në Ukrainë. Është e pritshme që shteti serb të provokojë me veprime kriminale intervenimin e organeve të Kosovës, në mënyrë që të hapet rruga e intervenimit ushtarak në veri të Kosovës nga Serbia”, thotë ai.

Tutje u shpreh se Rusia të njëjtën gjë po e bënë Ukraina, madje ai thotë se ajo është trimëruar pas pushtimeve në Gjeorgji, dhe veçmas pas okupimit të Krimesë, dhe se nga këto po motivohen veprimet e Serbisë ndaj Kosovës.

Më tej deklaroi se Kosova duhet ta rrit gatishmërinë policore dhe atë ushtarake, si dhe të shtohen kontrollet në veri.

Kështu është duke vepruar shteti rus në Ukrainë. Rusia okupoi Krimen dhe në lindje të Ukrainës ka krijuar formacione ushtarake ruse që kanë pushtuar Osetin e Jugut dhe tash po provokohet një luftë në përmasa të gjëra. Intervenimi rus veç që nuk është bërë. Suksesi i rusëve në Ukrainë, në Gjeorgji, në Turkmenistane dhe në Armeni, është një fakt që dërgon mesazhe te veprimet serbe në veri të Kosovës. Këtë e dinë në Uashington dhe në Bruksel. Ka të dhëna të qarta në Londër dhe në Paris. Por, përkundër kësaj lypset që Kosova ta rritë gatishmërinë ushtarake dhe policore. Kërkohet të shtohen kontrollet në veri dhe të ndërtohen punkte të veçanta policore kudo në veri të vendit. Koha nuk pret. Sukseset e rusëve janë mjet i fortë për veprimet kriminale dhe shoviniste serbe në Kosovë. Këto veprime shoveno-kriminake priten të jenë të ashpra. Kosova duhet të veprojë si një trup i vetëm në mbrojtje të atdheut. Nuk ka ku shkon më tej Republika”, shtoi Kelmendi.