Kosova sot pranon Raportin për Vendin: Progres i limituar dhe stagnim

Autoritetet e Kosovës do të pranojnë të martën Raportin për Vendin 2025 nga Komisioni Evropian.

Siç është bërë e ditur në një komunikatë nga Qeveria, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do ta pranojë raportin sot nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, në orën 17:45, ndërsa më pas do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

KOHA ka pasur qasje në draftin e raportit për Kosovën, në të cilin në shumicën e kapitujve flitet për një “progres të kufizuar”, për “njëfarë progresi”, ndërsa në disa raste edhe konstatohet se “nuk ka pasur progres”.

Kosova më së shumti kritikohet për gjendjen në fushën e lirisë së shprehjes, ku nuk ka pasur progres, dhe për veprimet në veri, të cilat edhe në këtë raport konstatohet se kanë qenë në kundërshtim me obligimet e Kosovës karshi BE-së dhe me procesin e normalizimit të raporteve.