Kosova sfidon Sllovakinë në play-off-in e Kupës së Botës

Kombëtarja e Kosovës në futboll, të enjten ka mësuar kundërshtarin në play-off-in e Kupës së Botës 2026.

Në Cyrih të Zvicrës është tërhequr shorti, ku Dardanët do të ndeshen me Sllovakinë në duelin që do të luhet në mars.

Kombëtarja jonë pak ditë më parë siguroi fazën e play-off-it për Botërorin 2026, e që është arritja më e madhe në historinë e kombëtares sonë.

Në ceremoninë e shortit të pranishëm ishin edhe krerët e FFK-së dhe përzgjedhësi i kombëtares sonë, Franco Foda.

Kosova përballjen kundër Sllovakisë e luan në Bratislavë më 26 mars, me synime të qarta, fitoren e cila do të dërgonte në finalen e madhe të play-off-it të Botërorit 2026.

Në rast se Kosova kalon në finalen e play-off-it, atëherë do të ndeshet me fituesin e ndeshjes Turqi-Rumani.