Kosova pranoi mbi 35 mijë vaksina nga ShBA-të

Kosova sot pranoi kontingjentin e parë me 35 mijë e 100 vaksina Pfizer nga SHBA.

Në ceremoninë e pranimit në oborrin e IKSHPK-së i pranishëm ishte edhe ambasadori Philip Kosnett, bashkë me presidenten Vjosa Osmanin dhe kryeministrin, Albin Kurtin.

Gjatë fjalimit, presidentja Osmani falënderoi presidentin amerikan Joe Biden për ndihmën.

“E kam ditur se Biden do ta ndihmonte dhe morëm përgjigje për mbi 500 mijë vaksina, kontingjenti po e pranojmë sot, edhe të tjerat do të vijë shumë shpejt shpresoj. Kjo dëshmon miqësinë, ‘Miku i mirë shihet në ditë të vështirë’, faleminderit të gjithë atyre që kontribuuan që vaksinat të jenë këtu”, ka thënë Osmani.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se këto vaksina të dhuruar do të administrohen për një ditë e gjysmë dhe se brenda vitit do të imunizohen 60% e popullatës.

Ambasadori i ShBA-së Philip Kosnett, tha se vaksinat janë dërguar përmes programit Covax dhe janë pjesë e angazhimit të Shteteve të Bashkuara për të luajtur një rol udhëheqës në luftën për t’i dhënë fund pandemisë kudo në botë. Ai është zotuar edhe për dhurimin e kontingjenteve të tjera të vaksinave për Kosovën./21Media