Kosova do të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të garës botërore të robotikës “FIRST Global Challenge 2026”, e cila do të mbahet nga 7 deri më 10 tetor në Incheon të Koresë së Jugut, përcjell albinfo.ch.
Vendi do të përfaqësohet nga ekipi i UBT-së, i përbërë nga gjashtë nxënës: Klea Hajrizi, Amar Rama, Melos Grainca, Jon Thaçi, Marta Çerkini dhe Ylli Osmani. Ata do të udhëhiqen nga mentorët Elita Hajrizi dhe Leona Hajrizi, me mbështetjen e ekipit të Mekatronikës në UBT.
Edicioni i sivjetmë zhvillohet me temën “Igniting Innovation”, e cila fton ekipet pjesëmarrëse të krijojnë zgjidhje teknologjike dhe robotike për përballimin e zjarreve të egra dhe sfidave që ato paraqesin për komunitetet dhe mjedisin.
Përfaqësimi i Kosovës vjen pas suksesit të arritur në edicionin e kaluar, ku mentorja Elita Hajrizi u nderua me çmimin “Best Mentor”, duke u shpallur mentorja më e mirë në mesin e ekipeve pjesëmarrëse nga e gjithë bota.
“FIRST Global Challenge” është një nga garat më të rëndësishme ndërkombëtare të robotikës për të rinjtë, duke mbledhur ekipe nga dhjetëra shtete me synimin për të promovuar inovacionin, bashkëpunimin dhe përdorimin e teknologjisë në zgjidhjen e sfidave globale.



