Kosova pajiset me sisteme moderne të altilerisë amerikane, nënshkruhet marrëveshja me AM General

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se është nënshkruar një kontratë kornizë me prodhuesin e njohur amerikan të industrisë ushtarake AM General, e cila parasheh furnizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me sisteme moderne të artilerisë mobile HUMVEE Hawkeye 105mm Mobile Howitzer (MHS), përcjell INA.

Sipas Maqedoncit, kontrata përfshin gjithashtu automjete moderne mbështetëse, pjesë rezervë, mirëmbajtje teknike, si dhe trajnim të specializuar për operim dhe mirëmbajtje të sistemeve të reja.

“Me këtë blerje, ushtria jonë po kalon në një fazë tjetër zhvillimi – rritjen e fuqisë së zjarrit direkt për qitje në distanca të largëta”, ka theksuar ministri i Mbrojtjes.

Ai ka vlerësuar se kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, duke kontribuar në ndërtimin e një ushtrie moderne, profesionale, të gatshme dhe plotësisht të ndërveprueshme me aleatët strategjikë.

“Ky investim garanton siguri më të madhe për vendin dhe kontribuon në stabilitetin afatgjatë të rajonit”, ka përfunduar Maqedonci.

Marrëveshja me AM General shihet si pjesë e strategjisë së vazhdueshme të Kosovës për modernizimin e Forcës së Sigurisë dhe forcimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.(INA)