Shkruan: Skender ASANI
Tani kur me shumë krenari festojmë 15 vjetorin e pavarësisë së shtetit
të Kosovës, duhet të jemi unanim në një konstatim se kjo ngjarje
paraqet projektin më madhor, jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por për
mbarë kombin shqiptar. Shteti i Kosovës është projekt shekullor që
erdhi natyrshëm si produkt që ndau në dysh aspiratat
shekullore kombëtare të shqiptarëve: në njërën anë u shpall pavarësia
e Shqipërisë në vitin 1912, kurse në anën tjetër, një Shqipëri tjetër
që po përjetonte copëtime e pushtime të reja, ndoqi një rrugëtim
të vështirë, me sakrifica sublime dhe me pëprpjekje titanike për rë
rikthyer pozicionet e humbura , e që ndodhi në qershor të vitit 1999
në Kumanovë, ku Serbia jo vetëm që kapituloi ushtarakisht, por ajo u
gjunjëzua politikisht e moralisht para një fakti që i bënte ata të
kthehen andej nga kishin ardhur.
Është fare e ditur se kjo nuk ndodhi krejt rastësisht dhe këtë
mrekulli askush nuk e solli në pjatë, por ishin djemtë dhe vajzat e
Kosovës që me rezistencën e tyre të armatosur alarmuan botën, dhe
vunë në lëvizje një alenacë të madhe ushtarake-politike, e prirë nga
Shtetet eBashkuara të Amerikës dhe e ekzekutuar nga NATO.
Çdo shtet dhe shoqëri ka bilancet e veta, kure ne shqiptarët kemi
arsye të bëjmë disa bilance.
Në radhë të parë, ajo që na obligon si intelektualë e studiues është
nevoja që shtetin e Kosovës ta afirmojmë në dritën e kujdesit
insitucional ndaj vlerave që e bëjnë atë të identifikueshëm në planin
ndërkombëtar. Kjo nuk mund të arrihet pa një konsolidim të gjithanshëm
të botës intelektuale e akademike në funksion të artikulimit sa më
dinjitoz të interesave të shtetit të Kosovës para sfidave të vjetra
dhe të reja.
Pastaj, një shtet i ri si Kosova, ka nevojë për qasje sa më të madhe
në rrjetin global të dijeve dhe të arriturave, por kjo nuk mund të
bëhet pa një angazhim më të madh të institucioneve tona arsimore e
shkencore. Në këtë kontekst, dua të theksoj gatishmërinë tonë si
ITSHKSH në gjetjen e rrugëve e mundësive të përbashkëta për një
bashkëpunim afatgjatë institucional, ku do të shkëmbeheshin përvojat
dhe njohuritë tona në një rrafsh më të gjerë idesh e projektesh nga më
të ndryshmet.
Të gjithë shqiptarët në ish Jugosllavi, Kosovën e përjetojnë si
pijemont të intelektualizmit dhe shqiptarizmit, dhe jorastësisht
Prishtina për shumë vite shërbeu si kandil i vetëm që shpërndante
dritën e diturisë edhe për viset shqiptare në Maqedoni, në Serbi të
Jugut, në Mal të Zi e gjetiu. Për rrjedhojë në vitin 1981 demonstrat e
rinisë ishin masovike dhe dinamike për shkak të pjesëmarrjes së madhe
të shqiptarëve nga të gjitha trevat, për të kulmuar si një vullkan në
vitet 1998 dhe 99, atëherë kur kushtrimit të UÇK-së iu përgjigjën edhe
qindra të rinjë nga këto viset shqiptare.
Kjo është edhe arsyeja pse shteti i Kosovës i ngjason një fryti, në
kultivimin e të cilit kemi marrë pjesë të gjithë, kush më shumë e kush
më pak, dikush me pushkë e dikush me penë, dikush me bukë e dikush me
strehim. Kjo është arsye pse çdo shqiptar sot i gëzohet pavarësisë së
shtetit të Kosovës, sepse ky paraqet momentin më kulmor ku bashkohen
në një pikë aspiratat gjithëkombëtare dhe proceset euroatlantike.
Kosova është proces në ecje dhe ky proces shkon paralelisht me nevojën
për të pasë një shoqëri demokratike në të cilën sundon shteti i së
drejtës, si dhe të gjitha parametrat e një shoqërie që ka kërkesa për
më shumë zhvillim ekonomik dhe më pak varfëri, më shumë reforma
institucionale e juridike e më pak korrupsion dhe një shoqëri që
integron brenda vetes të gjitha kapacitetet shtetndërtuese.
Duke shpresuar që përvjetorët tjerë do ta gjejnë shtetin e Kosovës më
të konsoliduar në të gjitha planet, uroj që pavarësia dhe integrimi
brendakombëtar të shkojnë paralelisht, drejt një bote shqiptare, e
shtrirë në një planimetri globale, e cila nuk do t’i ketë kornizat e
ngushta, siç jemi mësuar t’i shohim deri më tani.
Por për t’i arritur këto objetkiva, na duhet shumë punë dhe shumë
bashkëpunim institucional, kulturor e shkencor në mes veti.
Prishtinë, 15. 02. 2013




