Kosova në strategjinë ushtarake të Serbisë? Ekspertët: Ky është kërcënim serioz

Presidenti i Serbisë, Aleksadër Vuçiq, ka prezantuar strategjinë kombëtare “Serbia 2030”, duke përsëritur qëndrimin e tij mbi statusin e Kosovës.

“Kushtetuta e Republikës së Serbisë thotë pa mëdyshje se Kosova është një krahinë autonome brenda Serbisë. Kjo është shkruar edhe në Kartën dhe në rezolutën e Kombeve të Bashkuara, pavarësisht nëse disa në botë e pranojnë apo jo”, ka thënë ai.

Gjatë fjalimit , Vuçiq ka paralajmëruar se vazhdimin e ndërhyrjeve në punët e brendshme të Kosovës duke konfirmuar se shteti do të mbështesë manastiret dhe kishat.

Po ashtu, Vuqiç  ka njoftuar krijimin e një ushtrie digjitale, të ngjashme me atë të Izraelit, dhe hapjen e një fabrike për prodhimin e dronëve të luftës .

Lidhur me këtë, ekspertët e sigurisë, vënë në pah rrezikun e përfshirjes së Kosovës në strategjinë serbe “Serbia 2030”, e prezantuar së fundmi nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq. Sipas tyre, dokumenti që paraqet Kosovën në hartat politike dhe ushtarake tregon se Beogradi e konsideron çështjen e saj të hapur dhe pjesë të projeksioneve afatgjata shtetërore.

Gjithashtu, ata theksojnë se paralajmërimet për krijimin e një ushtrie digjitale, të frymëzuar nga modeli i Izraelit, përfshirë dronë, sisteme të avancuara komandimi dhe teknologji moderne, kërkojnë vëmendje serioze nga institucionet e sigurisë së Kosovës. Sipas tyre, Forca e Sigurisë së Kosovës, partneriteti me NATO dhe KFOR, dhe zhvillimi i kapaciteteve defanzive dhe kibernetike, mbeten të domosdoshme për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së vendit.

Hoxha paralajmëron: Kosova nuk mund të qëndrojë e papërgatitur për sfidat e sigurisë

Image

Hafir Hoxha

Foto galeri

Ish-komandanti i UÇK-së, Hafir Hoxha, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se “Strategjia Serbia 2030” e prezantuar nga Vuçiq, ku Kosova figuron në hartat politike dhe ushtarake, tregon se Serbia vazhdon ta konsiderojë çështjen e Kosovës të hapur dhe pjesë të projeksioneve të saj afatgjata shtetërore.

Ai ka vlerësuar se kjo kërkon vëmendje serioze nga institucionet e sigurisë së Kosovës, sidomos për shkak të paralajmërimeve për zhvillimin e një “ushtrie digjitale”, të frymëzuar nga modeli i Izraelit, që përfshin modernizim të madh ushtarak me teknologji, dronë dhe sisteme të avancuara komandimi.

 “Strategjia “Serbia 2030” e prezantuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në të cilën Kosova paraqitet në hartat politike dhe ushtarake të Serbia, pavarësisht deklarimeve për “paqen”, nuk mund të shihet si diçka e parëndësishme.

Përfshirja e Kosovës në dokumente dhe harta strategjike serbe tregon se politika zyrtare e Serbisë vazhdon ta konsiderojë çështjen e Kosovës të hapur dhe pjesë të projeksioneve të saj afatgjata shtetërore. Kjo është një qasje që kërkon vëmendje serioze nga institucionet e sigurisë së Kosovës.

Sidomos kur Serbia paralajmëron zhvillimin e një “ushtrie digjitale”, të frymëzuar nga modeli i Izraelit, që nënkupton modernizim të madh ushtarak përmes teknologjisë, dronëve dhe sistemeve të avancuara të komandimit”, ka thënë ai.

Po ashtu, Hoxha  ka paralajmëruar se Kosova duhet të veprojë me seriozitet dhe strategji, duke forcuar Forcën e Sigurisë, armët defanzive dhe sistemin e rezervave, sepse vetëm forcat profesionale nuk mjaftojnë në raste krize.

“Për fat të keq, në Kosovë këto zhvillime nuk po trajtohen me seriozitetin e duhur. Madje, situata bëhet edhe më shqetësuese kur strukturat politike vazhdojnë të tregojnë papërgjegjësi dhe paaftësi për të formuar institucionet shtetërore në kohë, ndërkohë që sfidat e sigurisë në rajon janë reale.

Kosova duhet të veprojë me maturi, por edhe me vendosmëri strategjike:          

• të përpilojë dhe miratojë sa më parë Doktrinën e Mbrojtjes së Shtetit

• të forcojë kapacitetet e Forca e Sigurisë së Kosovës

• të investojë në sisteme kundërajrore dhe armatim kundër mjeteve të blinduara, pra në armë kryesisht defanzive

• të ndërtojë një sistem funksional të rezervave dhe mobilizimit në rast rreziku

Sepse në rast të një krize apo konflikti, vetëm forcat profesionale nuk do të mjaftonin. Çdo shtet serioz ndërton edhe kapacitetet e tij rezervë për mbrojtje”, ka shpjeguar ai.

Tutje, Hoxha ka nënvizuar se siguria e Kosovës varet nga partneriteti me NATO dhe KFOR.

“Në të njëjtën kohë, siguria e Kosovës lidhet ngushtë edhe me partneritetin strategjik me NATO dhe praninë e KFOR, të cilat mbeten faktorë kyç të stabilitetit në rajon.

Historia na mëson se paqja ruhet më mirë kur shtetet janë të përgatitura për ta mbrojtur atë.

Prandaj, më shumë përgjegjësi shtetërore, më shumë seriozitet institucional dhe më shumë investim në siguri janë domosdoshmëri për të ardhmen e Kosovës”, ka deklaruar Hoxha.

Berisha paralajmëron Kosovën

Image

Fidair Berisha

Foto galeri

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Fidair Berisha e ka komentuar  përfshirjen e Kosovës në hartat politike dhe ushtarake të Serbisë, si diçka jo e re.

 “Strategjia “Serbia 2030”, e prezantuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet parë në tri dimensione: politike, strategjike dhe të sigurisë. Përfshirja e Kosovës në hartat politike dhe ushtarake të Serbisë nuk është diçka e re që do të duhej të na befasonte, pasi Serbia vazhdon me politikën e saj destruktive duke mos e njohur pavarësinë e Kosovës. Kanë kaluar më shumë se dy dekada e gjysmë dhe Serbia ende e konsideron Kosovën si pjesë të territorit të saj, ketë e dëshmon fakti se Kosova  ende qëndron  në Kushtetutën e saj.

Megjithatë, përfshirja e Kosovës në dokumente strategjike si “Serbia 2030”, përkundër faktit se ka një simbolikë politike dhe strategjike, asnjëherë nuk duhet neglizhuar nga mekanizmat  tan te sigurisë. Ne aspektin e dimensionit të sigurisë, kjo strategji mund të interpretohet më shumë si një instrument politik për konsum të brendshëm, sepse një pjesë e madhe e popullatës në Serbi është e pakënaqur me qeverisjen e Vuqiq-it. Prandaj, qëllimi është i qartë: ruajtja e narrativës shtetërore të Serbisë ndaj Kosovës”, ka deklaruar ai.

Berisha ka paralajmëruar se një “ushtri digjitale” e frymëzuar nga modeli i Izraelit do të përbënte një sfidë të re për Kosovën në fushën e sigurisë kibernetike, luftës informative dhe mbrojtjes së infrastrukturës kritike, duke theksuar rëndësinë e investimeve në mbrojtje kibernetike, inteligjencë artificiale dhe sigurinë e rrjeteve.

“Serbia e ka te ditur se  në rast të ndonjë sulmi të mundshëm ushtarak kundër Kosovës, kjo do të shkonte në disfavor të Serbisë, meqë prania e NATO-s dhe e misionit paqeruajtës  te KFOR-it  në Kosovë do t’i sillte humbje të mëdha Serbisë. Përfshirja e Kosovës në hartat ushtarake serbe tregon vazhdimësinë e një politike kundër Kosovës, me qëllim që kjo çështje të përdoret si bazë për presion politik e diplomatik ose edhe për veprime hibride, si fushata dezinformimi, presion ekonomik apo destabilizim politik.

Sa i përket idesë së krijimit të një “ushtrie digjitale”, të frymëzuar nga modeli i Izraelit, nëse Serbia arrin të zhvillojë seriozisht një komponent të tillë, kjo sigurisht se përbën një sfidë të re për Kosovën, sidomos në fushën e sigurisë kibernetike, luftës informative dhe mbrojtjes së infrastrukturës kritike. Në këtë kontekst, kohëve të fundit shumë shtete po investojnë në kapacitete të tilla si mbrojtja kibernetike, inteligjenca artificiale, operacionet informative dhe siguria e rrjeteve”, ka shtuar ai.

Po ashtu, Berisha ka sugjeruar se Kosova duhet të përqendrohet në forcimin e kapaciteteve të FSK-së, Policisë dhe AKI-së, të rrisë bashkëpunimin me NATO-n dhe SHBA-të, dhe të zhvillojë strategji për mbrojtje kibernetike dhe kundër dezinformimit.

Ai ka potencuar se “Serbia 2030” duhet marrë seriozisht, por pa panik, dhe me kapacitetet aktuale të sigurisë, Kosova mund të përballet me një agresion të mundshëm.

“Duke parë qëllimet e Serbisë, institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në disa prioritete: Forcimin e kapaciteteve të FSK-së, Policisë dhe AKI-së, si dhe rritjen e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me NATO-n dhe SHBA-të, njëkohësisht , duhet të zhvillohen strategji për mbrojtjen kibernetike dhe luftën kundër dezinformimit.

Pra, strategjia “Serbia 2030” duhet të merret seriozisht si një element i diskursit strategjik të Serbisë, mirëpo nuk duhet të krijohet panik, sepse qëllimet e Serbisë dihen botërisht. Mund te themi se shteti i Kosovës, në rast agresioni nga Serbia, me kapacitetet aktuale të sigurisë, do të kishte një përballje mjaft solide. Për shtetin e Kosovës, prioritet edhe më tej mbetet forcimi i institucioneve të sigurisë, thellimi i partneritetit me aleatët ndërkombëtarë dhe ndërtimi i kapaciteteve moderne të mbrojtjes, përfshirë edhe në domenin kibernetik, i cili kohëve të fundit ka një rol kyç në aspektin e sigurisë”, ka përfunduar Berisha.