Shkruan: Agim Vuniqi
Kosova e vitit 2025 ngjan me një shtet në “stand by”: institucionet ekzistojnë, por nuk funksionojnë me koherencë. Parlamenti, teorikisht tempulli i sovranitetit popullor, është bllokuar nga kalkulimet aritmetike të deputetëve që matin votat për mocione dhe jo ligjet për qytetarët. Qeveria, edhe pse formalisht legjitime, trajtohet si e përkohshme, duke mbijetuar nga një seancë në tjetrën. Presidentja është e përfshirë në një përplasje të hapur me Gjykatën Kushtetuese, e cila nga arbitër është shndërruar në lojtarin më të fuqishëm.
Kjo situatë ngre pyetjen thelbësore: kush është sovrani në Kosovë? Deputetët e zgjedhur nga populli, gjyqtarët e emëruar, apo ndërkombëtarët që e mbajnë fjalën e fundit për çdo proces? Nëse Parlamenti nuk arrin të ushtrojë sovranitet, nëse qeveria mbetet nën kërcënim të hapur mediatik, dhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos mbi marrëveshje politike, atëherë kemi hyrë në një logjikë të “juristokracisë” dhe administrimit të kushtëzuar.
Shembujt ndërkombëtarë tregojnë kontrastin. Britania e Madhe, pa një Kushtetutë të shkruar, mbështetet në sovranitetin parlamentar: çdo marrëveshje bëhet ligj vetëm pas votës së deputetëve. Në Amerikën Latine, përkundrazi, është parë shpesh një juristokraci, ku gjykatat supreme vendosin mbi fatin e politikës, duke bllokuar sovranitetin popullor. Kosova, fatkeqësisht, ka marrë elemente të këtij modeli të dytë, pa e ndërtuar traditën e parë.
Por problemi nuk është vetëm i brendshëm. Politika kosovare është e kushtëzuar nga presioni ndërkombëtar. Nuk është e largët koha, kur marrëveshjet me Serbinë shpalleshin si “suksese historike”, por brenda vendit ktheheshin në shkak për protesta, peticione dhe padi në Gjykatën Kushtetuese. Elitat tona politike, pa ide të qarta strategjike, i pranonin këto marrëveshje si imponime të pashmangshme. Qytetarët, ndërkohë, shohin se çdo proces i madh përfundon i deleguar jashtë: nga reforma zgjedhore deri te dialogu me Serbinë.
Në këtë kaos, partitë politike nuk po ofrojnë vizion, por vetëm mbijetesë. Opozita synon të rrëzojë qeverinë, por nuk ka projekt alternativ. Qeveria sillet si të kishte shumicë absolute, por realiteti parlamentar e kundërshton çdo ditë. Presidentja flet për unitet, por vetë është në konflikt me institucionin që garanton rendin kushtetues. Ndërkombëtarët thonë “respektoni marrëveshjet”, por nuk garantojnë asnjëherë stabilitet të brendshëm.
Në fund, qytetari mbetet i zhgënjyer: ai paguan taksat, pret shërbime, jep votën, dhe shikon se kjo votë humbet në pazar politik. Në vend që të ketë një shtet funksional, ka një republikë të pezulluar, ku sovraniteti është i ndarë në tri shtylla: partitë që luftojnë për pushtet, gjykata që imponon interpretim, dhe ndërkombëtarët që vendosin për drejtimin e madh politik.
Pra, Kosova sot nuk ka krizë vetëm të qeverisjes; ajo ka krizë të vetë sovranitetit. Dhe derisa partitë tona të merren me patriotizëm retorik dhe me aritmetikë parlamentare, qytetarët e kuptojnë gjithnjë e më shumë se shteti i tyre është improvizim i përhershëm. Një republikë në letër, por me funksione të kufizuara në praktikë.