Kosova në rrezik nga destabilizimi serb, Ramadani rekomandon platformë të përbashkët shqiptare

Ish-inspektori i AKI-së, Burim Ramadani ka bërë një vlerësim të situatës së sigurisë në rajon, duke theksuar rrezikun që sipas tij paraqet Serbia ndaj Kosovës.

Në një postim të fundit, Ramadani deklaroi se nuk ka asnjë dilemë që Serbia synon ta bartë krizën e saj brenda Kosovës.

“Njëjtë, synon të shfrytëzojë çfarëdo rrethane të re në sigurinë globale për të dëmtuar e kërcënuar Kosovën”, ka shkruar ai.

Ramadani paralajmëroi se askush nuk duhet ta minimizojë këtë rrezik.

“Askush nuk duhet ta minimizojë këtë rrezik të sigurisë kombëtare të Kosovës. Prandaj, është e domosdoshme që shumica shqiptare të ulet së pari brenda vetes e ta ndërtojë platformën e përbashkët”, u shpreh ish-kryeinspektori i AKI-së.

Ramadani po ashtu theksoi rëndësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Njëkohësisht, të ri-vendos partneritetin me SHBA-në në siguri dhe mbrojtje në planifikime të avancuara si asnjëherë deri më tash! Siguria e mbrojtja janë çështje urgjente për t’u bashkërenduar, veçanërisht në këtë kohë me shumë të panjohura për të ardhmen”, tha Ramadani.

Ai thekson se koordinimi i brendshëm dhe partneriteti ndërkombëtar janë thelbësorë për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së Kosovës.