Kosova ka mbërritur në fazën e plejofit për kualifikim në Kupën e Botës 2026 në futboll, pas fitores historike 2:0 ndaj Sllovenisë të shtunën.
Të martën, Kosova luan edhe me Zvicrën, por ndeshja nuk mund të ndryshojë fatin e Grupit B. Zvicra si e para e ka siguruar kualifikimin direkt në Botëror.
E menjëherë, më 20 nëntor, nga ora 13:00 në Zurich të Zvicrës do të hidhet shorti për fazën e plejofit. Kosova duhet t’i kalojë edhe dy kundërshtarë për kualifikim historik në Kampionat Botëror.
Në plejof paraqiten 12 përfaqësueset që përfundojnë në vendin e dytë në grupet kualifikuese dhe katër përfaqësueset më të mira fituese të grupeve në Ligën e Kombeve, që nuk përfundojnë në dy pozitat e para në grupet kualifikuese për Botëror.
Shorti do të përcaktojë kundërshtarin e gjysmëfinales së plejofit dhe potencialisht të finales së plejofit.
Përmes plejofit biletën e Botërorit e sigurojnë katër përfaqësuese. Fituesit e dy gjysmëfinaleve në të gjitha katër “rrugët” e plejofit, do të takohen në finale për kualifikim në Botëror.
12 përfaqësueset e vendit të dytë në grupe do të ndahen në tri vazo. Vazot do të caktohen në bazë të ranglistës së FIFA-s që publikohet të mërkurën. Kosova për shkak të rangimit është në vazon e tretë. Katër përfaqësueset që në plejof marrin pjesë nga Liga e Kombeve, do të jenë në vazon e katërt. Në gjysmëfinale, përfaqësueset e vazos së parë do të takohen me ato të vazos së katërt dhe përfaqësueset e vazos së dytë me ato të vazos së tretë.
Ndeshjet gjysmëfinale të plejofit zhvillohen më 26 mars të vitit të ardhshëm. Vendase do të jenë përfaqësueset e vazos së parë dhe të dytë. Ndërkohë finalet e plejofit janë më 31 mars. Vendasit e katër finaleve do të përcaktohen përmes shortit.




