Ngërçi institucional që ka përfshirë Kuvendin e Kosovës, pas dështimit për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e tij, ka nxjerrë në pah mangësitë ligjore dhe kushtetuese për t’i dhënë zgjidhje një situate të tillë.
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se problemi qëndron te mungesa e dispozitave të qarta kushtetuese, ndaj sugjeron që kjo situatë të adresohet përmes interpretimit nga Gjykata Kushtetuese.
“Një gjë e tillë është problem, sepse deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk mund të iniciojnë kërkesë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, përveç presidentes, e cila mund të aktivizohet vetëm pas kërkesave nga ana e kryetarëve të partive politike”.
Sipas Jakajt situata mund të zgjidhet edhe në rrugë politike, por kjo duhet të ndodhë brenda 27 Prillit.
“Kuvendi duhet që të konstituohet më së voni deri më 27 Prill, kur është data e fundit kur Kuvendi do të duhej të mblidhej, sipas Kushtetutës”.
Kriza politike shihet me shqetësim edhe nga sipërmarrësit, të cilët thonë se Kosova është në prag të humbjes së mbështetjes financiare nga Plani i Rritjes së Komisionit Evropian, për shkak të mungesës së institucioneve funksionale në vend.
“Kosova ka ngelur, për shkak se duhet së pari të ratifikohet marrëveshja me Komisionin Evropian dhe ajo duhet të kalojë me dy të tretat në Kuvendin e Kosovës për ta marrë 7 për qind të 880 milionëshit, shumës totale si parafinancim”,thotë Lulzim Rafuna, kreu i Odës Ekonomike të Kosovës.
Ndaj Oda Ekonomike e Kosovës bën thirrje për konsensus politik.
Tv Klan




