Kosova ndalon importin e deleve dhe dhive nga Maqedonia e Veriut

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se ka ndaluar importin e deleve dhe dhive nga Maqedonia e Veriut.

Kjo bazuar në raportet zyrtare të ADIS dhe Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), se në këtë shtet është konfirmuar prania e sëmundjes Lija e dhenve dhe dhive në zonën MKD – Lipkovo.

“Në përputhje me Ligjin për Veterinarinë Nr. 2004/21, ndalohet importi i kafshëve të gjalla të llojit të deleve dhe dhive, si dhe i nënprodukteve të tyre (lëkura dhe leshi), përfshirë edhe produktet me origjinë nga këto kafshë që nuk janë të trajtuara termikisht ose që kanë origjinë nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Kjo masë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në një vlerësim të mëtejshëm të situatës nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare, si dhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim./Reporteri.net