Kosova mban sot zgjedhjet lokale, hapen qendrat e votimit në të gjithë vendin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se vendvotimet në të gjitha komunat e Kosovës do të jenë të hapura nga ora 7:00 deri në 19:00. Sipas të dhënave të KQZ-së, në mbarë vendin janë organizuar 938 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime.

Për qytetarët që votojnë nga jashtë vendit, është mundësuar votimi me postë, proces që ka nisur më 17 shtator dhe ka përfunduar më 11 tetor.

Të drejtë vote kanë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.

Zgjedhjet lokale mbahen në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe ato me shumicë serbe në veri të vendit. Për më shumë se dy vjet, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë.

Kjo pasoi dorëheqjet e përfaqësuesve të Listës Serbe në nëntor të vitit 2022, në shenjë proteste ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për t’i hequr nga qarkullimi targat serbe të automjeteve.

Në prill të vitit 2023, serbët e veriut – duke ndjekur udhëzimet e Listës Serbe – i bojkotuan zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale.

Bojkotim kishte edhe një vit më vonë, në prill të vitit 2024, gjatë votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë.

Në zgjedhjet e sotme, Lista Serbe ka kandidatë për kryetarë komunash në të dhjetë komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Partesh dhe Ranillug, si dhe në Obiliq.

Kandidatë në komunat me shumicë serbe kanë edhe disa parti tjera serbe: Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Demokracia Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Aleanca e Kosovës, si dhe disa iniciativa qytetare.

Institucionet e Kosovës dhe misionet ndërkombëtare u kanë bërë thirrje qytetarëve të votojnë lirshëm dhe pa ndikime të jashtme./rel