Republika e Kosovës dhe Republika e Panamasë kanë bërë një hap të ri në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke nënshkruar një marrëveshje për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare.
Marrëveshja është nënshkruar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Panamasë, Carlos A. Hoyos, në një ceremoni zyrtare që theksoi gatishmërinë e të dy vendeve për të thelluar bashkëpunimin dhe lidhjet diplomatike.
Para nënshkrimit, gjatë një takimi dypalësh, përfaqësuesit e të dy shteteve kanë diskutuar edhe për nisjen e procedurave drejt heqjes së vizave për mbajtësit e pasaportave të rregullta. Po ashtu, në fokus të bisedimeve kanë qenë edhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si siguria, arsimi i lartë dhe turizmi.
Palët janë pajtuar gjithashtu që raundi i ardhshëm i konsultimeve politike ndërmjet dy ministrive, në nivel të zëvendësministrave, të zhvillohet në Prishtinë në fund të vitit 2026.



