Kosova dhe Britania së shpejti me marrëveshje strategjike në mbrojtje, siguri dhe tregti

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, është takuar me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.

Në njoftimin e Presidencës, thuhet se në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për procesin e zgjedhjeve të parakohshme më 28 dhjetor.

Tutje, thuhet se shefja e shtetit ritheksoi rëndësinë që edhe këto zgjedhje të mbahen sipas standardeve më të larta demokratike, në të cilat Kosova tashmë është shembull.

“Po ashtu, në takim u diskutua edhe për hapat konkret drejt finalizimit të iniciativës së Presidentes për lidhjen e marrëveshjeve strategjike me Mbretërinë e Bashkuar në fushat e interesit të përbashkët, respektivisht atë të mbrojtjes, sigurisë, si dhe ekonomisë e tregtisë, për ç’gjë ishin dakorduar gjatë vizitës së Sekretarit të Jashtëm britanik në Kosovë në prill të këtij viti”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv.