Komisioni Evropian ka prezantuar tashmë tre opsione për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, por pa miratimin e shteteve anëtare, nuk mund të bëhet përparim.
“BE-ja ka nevojë të ndryshojë rregullat e saj për të mundësuar një valë të re vendesh që t’i bashkohen”, tha Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, në një intervistë për Politico, gjatë Samitit të Evropës Konkurruese në Bruksel.
Ajo gjithashtu u bëri thirrje shteteve anëtare që nuk e mbështesin vizionin e Komisionit për zgjerimin, të propozojnë planet e tyre alternative.
Së fundmi, Euractiv, duke cituar burime jozyrtare, raportoi se Komisioni Evropian po shqyrton tre opsione kryesore për politikën e ardhshme të zgjerimit: i pari parashikon që sistemi ekzistues të mos ndryshojë; i dyti quhet “integrim gradual”; dhe i treti është “i fazuar” ose “i kthyeshëm”.
Sqarimet tregojnë se “integrimi gradual” do të thotë që vendet kandidate mund të marrin pjesë në disa iniciativa dhe programe të BE-së, por nuk fitojnë anëtarësi të plotë. Ndërsa “integrimi me faza” nënkupton që shtetet marrin anëtarësi të shpejtë dhe zyrtare, duke vazhduar më pas të implementojnë reforma.
“Që nga diskutimet e para me shtetet anëtare, është e qartë se opsioni i tretë nuk është i pranueshëm… Kjo do të ishte një revolucion. Opsioni i parë, status quo-ja, gjithashtu nuk përbën një alternativë”, theksoi Kos.
Ajo shtoi se “ridizajnimi i sistemit është i mundshëm, dhe tani po diskutojmë drejtimin që mund ta bëjë procesin më të shpejtë, duke e kuptuar si një integrim gradual më të thelluar”.
Në të njëjtën kohë, Kos hodhi poshtë propozimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të cilët në një editorial të përbashkët për Frankfurter Allgemeine Zeitung kërkuan integrimin e shpejtë të vendeve kandidate në Tregun e Përbashkët të BE-së dhe në zonën Schengen, pa pasur të drejtën e vetos.
“Nuk jam e sigurt nëse liderët e dinë sa duhet të përmbushësh nëse dëshiron të bëhesh pjesë e Schengenit ose tregut të përbashkët, dhe sa i vështirë është procesi i reformave për integrimin ekonomik dhe për anëtarësimin në BE,” nënvizoi Kos.
Sipas saj, “ambicia e Ukrainës për t’iu bashkuar bllokut deri më 1 janar 2027 do të ishte e pamundur, ndërsa Islanda, përkundrazi, mund të jetë një rast special dhe mund të përshpejtojë procesin.”
“Islanda është kaq e integruar tashmë përmes EEE-së, sa që Tregu i Përbashkët është aty. Schengeni është aty… Pra, temat më të vështira, si reformat e nevojshme apo integrimi në BE, ata tashmë i kanë përmbushur. Sa i përket zhvillimit të demokracisë, janë shumë të avancuar. Vlerat evropiane i kanë shumë të larta”, theksoi Kos.



