Kos: Brukseli gjithnjë e më i shqetësuar për Serbinë, po vlerësohen pagesat e reja

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se Komisioni Evropian ende po vlerëson nëse Serbia i përmbush kushtet për “pagesa në bazë të instrumenteve financiare të Bashkimit Evropian”.

“Jemi gjithnjë e më të shqetësuar për atë që po ndodh në Serbi. Nga ligjet që minojnë pavarësinë e gjyqësorit, te shtypja e protestuesve dhe ndërhyrjet e përsëritura ndaj mediave të pavarura”, theksoi Kos për të përditshmen Politico.

Ajo shkroi se Serbia përballet me mundësinë e humbjes së deri në 1.5 miliard eurove mjete financiare nga Bashkimi Evropian dhe se Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e pezullimit të tyre për shkak të prapakthimit demokratik dhe lidhjeve të ngushta të Beogradit me Rusinë.

Në shkrim rikujtohet se Serbia nuk është anëtare e BE-së, por, meqë ka nisur negociatat e anëtarësimit në vitin 2014, ka të drejtë të përfitojë fonde dhe grante për ta ndihmuar Beogradin në zbatimin e reformave.

Javët e fundit, brenda KE-së ka pasur një nismë për t’ia ndalur këto fonde Serbisë, kanë thënë për Politico katër zyrtarë të BE-së që punojnë me vendet që janë në procesin e zgjerimit, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Po ashtu, thuhet se Danijel Apostoloviç, ambasador i Serbisë në BE dhe kryenegociator për anëtarësim, ka deklaruar se është i bindur se nuk do të ketë pezullim të financimit dhe se Serbia nuk po heq dorë nga synimi për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e bllokut evropian.

Ndryshimet e kontestuara në ligjet për drejtësinë

BE-ja ka kritikuar publikisht reformat ligjore të shtyra përpara nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, rikujton Politico.

Kur në janar u miratuan ndryshimet e kontestuara në ligjet për drejtësinë, Kos paralajmëroi se kjo përbënte “një hap serioz prapa, pasi këto amendamente u miratuan në mënyrë shumë të shpejtë dhe jotransparente”.

Brukseli e quajti këtë “një votim për kufizimin e pavarësisë së gjyqësorit”. Komisioni i Venecias, organ këshillues juridik i Këshillit të Evropës, pritet të japë mendimin e tij për këto ndryshime ligjore, në fund të prillit.

Ky opinion mund të shërbejë si shtysë për Komisionin Evropian që të ngrijë financimin për Serbinë, kanë thënë dy zyrtarë të BE-së për Politico.

Ata theksuan gjithashtu se Kos ka deklaruar se do të kërkojë që Serbia t’i harmonizojë ligjet e saj me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Politico përfshiu në shkrim edhe pohimin e Apostoloviçit se Beogradi ka bërë të qartë se do t’i ndjekë rekomandimet e Komisionit të Venecias sapo ato të publikohen.

Shqetësim edhe për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Moskës

BE-ja i ka ndarë Serbisë më shumë se 586 milionë euro në grante të pakthyeshme nga viti 2021 deri më 2024, si dhe 1.5 miliard euro shtesë, fonde që varen nga reformat.

Sipas të dhënave të Qeverisë së Serbisë, vendi ka marrë më shumë se 70 miliardë euro fonde dhe investime nga BE-ja që nga viti 2000, shkruan Politico, duke shtuar se Serbia “prej kohësh ecën në një litar të hollë në marrëdhëniet me BE-në, duke mbajtur njëkohësisht lidhje më të afërta me Moskën ndërsa merr para nga Brukseli”.

“Si vend kandidat, ne gjithashtu presim që Serbia të jetë me ne në politikën e jashtme dhe të harmonizohet më ngushtë me qëndrimet tona”, tha Kos për këtë , pa e përmendur në mënyrë eksplicite Rusinë.

Politico shtoi se Vuçiçi, i cili ka mbajtur lidhje të afërta me Moskën gjatë gjithë luftës në Ukrainë, është ankuar për ritmin e ngadaltë të negociatave për anëtarësim në BE.

“BE-ja ka humbur durimin ndaj Beogradit gjatë muajve të fundit, pas një raporti kritik për procesin e zgjerimit të vendit në nëntor, ku paralajmërohej për prapakthim dhe narrativë kundre BE-së në ‘nivelin më të lartë’ të politikës serbe”, shkruan Politico.

Tensionet u përshkallëzuan më tej në dhjetor, kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk mori pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor, raportoi Politico.

Politico shtoi se në mars Serbia u përball me kritika pas raportimeve për dhunë dhe parregullsi gjatë zgjedhjeve lokale, që u mbajtën në dhjetë komuna, si dhe pas ndërhyrjes së policisë në Rektoratin e Universitetit të Beogradit, kur pati përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor u miratua nga Komisioni Evropian në fund të vitit 2023, dhe synon forcimin e procesit të afrimit të rajonit me BE-në, si dhe nxitjen e reformave dhe bashkëpunimit rajonal.

Për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve që parashikon ky plan, Serbia tashmë ka marrë rreth 50 milionë euro më pak. Ndërkaq, që katër vjet, Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull të ri në negociatat për anëtarësim në BE./ REL