Koronavirusi ‘pushton’ botën, mbi 3 mijë të vdekur

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar vdekjen e dytë me koronavirus. Burime shëndetësore amerikane thanë se është regjistruar edhe rasti i parë i infeksionit në New York.

Që nga mbrëmja e së dielës, 88 raste të koronavirusit ishin identifikuar në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA ka të gjitha mjetet për t’u përballuar me epideminë.

Në të gjithë botën numri i vdekjeve nga koronavirusi i ka kaluar 3 mijë. Në Kinë, ku virusi u shfaq në fund të vitit 2019, autoritetet njoftuan sot 42 vdekje të reja.

Situata problematike paraqitet edhe në Itali, ku deri tani kanë humbur jetën 34 persona, ndërsa rreth 1700 janë të infektuar.

Ndërkohë e njëjta situata paraqitet edhe në Korenë e Jugut dhe Iran, ku raste të reja janë identifikuar me virusin vdekjeprurës, transmeton oranews.

Raste me koronavirus ka edhe në Francë dhe Gjermani, në disa vende të Ballkanit, ndërsa virusi ka prekur edhe Amerikën Latine.