Dy partitë maqedonase LSDM dhe VMRO-DPMNE, në mbledhjen e Këshillit për Siguri Nacionale që do të mbahet sot pasdite, do të propozojnë shtyrjen e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që janë caktuar të mbahen më 12 prill, shkruan gazeta LAJM. Zoran Zaev tha se shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm se zgjedhjet.
“Këtë vendim duhet ta sjellim të gjithë së bashku. Këtë ne e propozojmë sot si parti më e madhe në pushtet. Duhet të bëjmë llogari edhe cilat do të jenë pasojat e shtyrjes së zgjedhjeve mbi ekonominë, por të gjithë e dimë se gjendja aktuale e bën situatën të pakëndshme mënyrën se si do të organizohet votimi, mbledhjet në vendvotime, etj. Shpresoj se së bashku do të ndërtojmë qëndrim për shtyrjen e zgjedhjeve. Ekzistojnë disa elemente që përcaktojnë se kur mund të mbahen zgjedhjet por kryesorja është shëndeti publik. Detajet për një datë të saktë e lej për t’i diskutuar në takimin e liderëve”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Parapakisht, edhe kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, ndonëse është I bindur se do t’i fitonte zgjedhjet. Sipas tij, nuk ka asnjë arsye logjike që të mos shtyhet data e votimeve.
Edhe BDI-ja mbështet shtyrjen e zgjedhjeve. Ndërkohë, qytetarët e anketuar nga gazeta LAJM shprehen të ndarë për ndryshimin e datës së votimeve.
Për këtë temë, pritet që nesër të mbahen takim liderësh ku do të vendoset nëse zgjedhjet shtyhet dhe ku do të vendoset data eventuale për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. /Gazeta LAJM
Koronavirusi, partitë propozojnë shtyrjen e zgjedhjeve – qytetarët janë të ndarë (VIDEO)
Koronavirusi, partitë propozojnë shtyrjen e zgjedhjeve – qytetarët janë të ndarë (VIDEO)
Posted by Lajm TV on Monday, March 16, 2020