Koronavirusi në Kosovë: Një pacient në gjendje shumë të rëndë, të tjerët janë mirë

Deri në këto momente 37 persona të infektuar me koronavirus ose Covid-19, janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive. 32 prej tyre janë në gjendje stabile. Ndërkaq, 5 të tjerë janë në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe kanë nevojë për oksiogjenoterapi, njëri prej të cilëve është duke u trajtuar në Kujdesin Intensiv të Klinikës Infektive të QKUK-së, raporton Gazeta Express

Ndërkohë, mjekët e kësaj klinike janë në pritje të rezultateve edhe për 8 raste të tjera të cilat do të testohen.

“Në Klinikën Infektive të QKUK-së, sot më 30 mars 2020 janë duke u trajtuar 37 pacientë të prekur nga Covid-19.“• 32 të sëmurë janë në gjendje stabile; • 5 prej tyre kanë nevojë për oksigjenoterapi, njëri prej të cilëve është duke u trajtuar në Kujdesin Intensiv të Klinikës Infektive. Klinika është në pritje të rezultateve për 8 raste të tjera të cilat do të testohen”, thuhet në raportin e bërë nga doktorët e Infektivës së QKUK-së për ditën e sotme.

Megjithëkëtë, sipas këtyre mjekëve, sa i përket stafit të Klinikës Infektive, përpos infermieres së infektuar me COVID-19 dhe e cila është në gjendje të përmirësuar dhe e vetizoluar në shtëpi, të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Por disa pjesëtarë të stafit janë testuar për Covid-19 dhe që të gjithë kanë rezultuar negativ.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë dje ka konfirmuar edhe tre raste të reja me koronavirusin e ri.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, dy prej të cilave me vendbanim në Prishtinë dhe një me vendbanim në fshatin Kijevë-Malishevë”, thuhet në njoftim.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 94.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, u bëri thirrje qytetarëve të mos dalin nga shtëpitë dhe të ndjekin rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë, Vitia tha se qytetarët në këtë mënyrë ndihmojnë edhe personelin shëndetësor në parandalimin e përhapjes së koronavirusit.