Koronavirsusi, Maqedonia e Veriut për një muaj pritet të përballet me pikun

Gjatë ditës së djeshme Ministria e Shëndetësisë kumtoi se janë regjistruar edhe 26 raste të reja me virusin korona, prej të cilëve një në Dibër, 19 në Shkup, tre në Kumanovë,një në Prilep, një në Tetovë dhe një në Kriva Pallankë, me çka numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve është 285 persona. Për fat të keq, kishte edhe një rast të vdekjes, ai është pacienti 79-vjeçar nga Dibra, i diagnostikuar më 23 mars, i hospitalizuar më 25 mars dhe i cili kishte komorbiditet. Deri më tani raste të konfirmuara ka në Dibër, Shkup, Shtip, Gostivar, Ohër, Kavadar, Kumanovë, Prilep, Veles, Tetovë, Strugë, Manastir, Strumicë, Gjevgjeli dhe Kriva Pallankë.

Në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup, janë pranuar tetë pacientë të rinj dhe tani ka gjithsej 47 të hospitalizuar prej të cilëve tre janë vendosur në ventilim mekanik të moshës prej 50, 63 dhe 67 viteve, ndërsa në mbështetje oksigjeni janë nëntë pacientë të tjerë, ndërsa gjendja është stabile e pacientëve në të gjitha qytetet tjera.

“Kulmin e koronavirusit në shtet e presim për një muaj, në fund të muajit prill. Këto janë vlerësimet e epidemiologëve në pajtim me rritjen e numrit të pacientëve, por edhe në pajtim me masat që u vendosën në periudhën e fundit, para së gjithash në kufizimet e lëvizjes, në kufizimin e kontakteve sociale”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ministri dje theksoi se masat deri më tani të zbatuara janë të mjaftueshme dhe se ora policore, lëvizja e plotë e lëvizjes, kufizimi i lëvizjes së personave më të rritur se 67 vjet dhe mospërzierja e tyre me personat e moshës 18 vjeçare është diçka që presin të japin rezultate.

“Sinqerisht shpresoj se këto masa praktikisht do të japin rezultat në kuptim të kësaj dhe në periudhën që vijon të mos kemi rritje eksponenciale të numrit të pacientëve, por në mënyrë lineare dhe më pas ai numër të zvogëlohet”, shtoi Filipçe, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve pas konferencës për shtyp në Qeveri.

Ndërsa prej dje është hapur edhe pika për testimi në Poliklinikën Çair, prej të mërkurës edhe pika e testimit në Poliklinikën Idadia. Në ditët në vijim në të gjitha qytetet tjera përveç se në pikat e testimit për marrjen e strishove në qendrat për shëndet publik sipas madhësisë së qytetit do të ketë edhe një ose dy pika testimi në kuadër të Shtëpisë së Shëndetit, ku punonjës shëndetësorë do t’i marrin materialet dhe do t’i dërgojnë për testim në laboratorin e Institutit për Shëndet Publik.