Denuklearizimi i Gadishullit Korean dominoi në samitin e mbajtur në qytetin Chengdu, në të cilin përpos nikoqirit Kina, morën pjesë edhe Koreja e Jugut dhe Japonia, transmeton Anadolu Agency (AA).
Tre shtetet theksuan se denuklearizimi i Koresë së Veriut “është i mundur vetëm përmes mënyrave paqësore”, njofton agjencia Yonhap me seli në Seul.
Në një konferencë të përbashkët me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in, si dhe kryeministrin japonez Shinzo Abe, kryeministri kinez Li Keqiang tha: “Ne kishim një dialog të thellë në veçanti për kushtet e sigurisë në Gadishullin Korean”.
Li tha se palët u dakorduan që denuklearizimi i gadishullit dhe vendosja e paqes së përhershme ishin qëllime të përbashkëta.
“Tre shtetet do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të zgjidhur problemin në një mënyrë politike”, shtoi ai.
Megjithatë, Abe dënoi testin e fundit të raketave balistike nga Pheniani, duke thënë se është e rëndësishme që të shfrytëzohet momenti i bisedimeve mes SHBA-ve dhe Koresë së Veriut.
“Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër Phenianit duhet të zbatohen plotësisht”, njoftoi agjencia e lajmeve Kyodo citohet të ketë thënë kryeministri japonez.
Ky ishte takimi i tetë trepalësh që nga viti 2008 dhe theksi i takimit ishte në rëndësinë e promovimit të tregtisë së lirë multilaterale.
Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, tha se shtetet vendosën që të vazhdojnë kontaktet dhe bashkëpunimin me njëri-tjetrin në procesin e paqes në Gadishullin Korean.
Ai shtoi se janë pajtuar që të bëjnë përpjekje të përbashkëta për progres thelbësor në procesin e denuklearizimit dhe përpjekjet e paqes përmes “dialogut të hershëm” midis Koresë së Veriut dhe SHBA-ve.
Deklarata e tre vendeve erdhi disa ditë para afatit të fundvitit të vendosur në mënyrë të njëanshme nga Phenianit për SHBA-të për të bërë përparim në bisedimet e ngecura të denuklearizimit.
Në margjinat e samitit, Abe dhe Jae-in zhvilluan një takim dypalësh, duke u takuar për herë të parë në 15 muajt e fundit.
Takimi ishte i rëndësishëm pasi dy vendet ishin të përfshira në një luftë të fortë tregtare.