Koreja e Veriut lëshon raketa balistike pak para kthimit të Trumpit

Koreja e Veriut ka lëshuar raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi nga bregu lindor i saj, ka njoftuar Koreja e Jugut, duke e quajtur këtë si demonstrim fuqie pak para kthimit të Donald Trumpit në krye të Shteteve të Bashkuara.

Seuli zyrtar tha se raketat lëvizën 250 kilometra në ajër pas ngritjes në orën lokale 09:30, në provincën Jagang, pranë kufirit me Kinën, ka raportuar “Zëri i Amerikës”.

Këshilli i Përbashkët i Shefave të Shtabit në Suel e dënoi këtë veprim të Koresë së Veriut, duke e quajtur si kërcënues të paqes dhe të stabilitetit.

“E dënojmë fuqishëm lansimin si provokim të qartë që kërcënon seriozisht paqen dhe stabilitetin në gadishullin korean”, thuhet në reagim. Koreja e Jugut tha tutje në reagim se do të përgjigjen me forcë në rast se diçka e tillë përsëritet.

Presidenti në detyrë i Koresë së Jugut, Choi Sang-mok, ka mbajtur një takim urgjent me Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të shqyrtuar situatën..

Javën e kaluar, Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike hipersonike me rreze të mesme veprimi. Kim Jong-un pretendoi se kjo ishte raketë e rë që u testua së fundmi.