Kopshti i fëmijëve në Ohër është grabitur katër herë brenda dy javësh

Mysafirë të paftuar, për më shumë se dy javë, hyjnë në kopshtin e fëmijëve Rosica në Ohër. Ata kanë marrë ushqim nga kuzhina, kanë gatuar, ndërsa pjatat dhe enët e tjera pas ngrënies i kanë lënë në dhomat e aktiviteteve të fëmijëve. Punonjësit tregojnë për pamjet që kanë hasur në kopsht.

Çdo mëngjes kur vijmë gjejmë dritare të hapura, dyer të hapura, pastaj ushqime të përdorura nga të gjitha dhomat e aktiviteteve të fëmijëve. Janë përdorur disa enë nga kuzhina, si tenxhere, lugë. Janë hedhur jashtë nga kopshti, gjë që është vërtet e frikshme për ne në këtë kohë pandemie. Frika jonë kryesore është ajo që ndodh me krevatet dhe tavolinat ku hanë dhe flenë fëmijët, prandaj jemi shumë të shqetësuar për këtë. Shumë ushqime janë marrë nga kuzhina, si qumësht, çokollatë, biskota. Vumë re se karriget ku uleshim ishin shkelur”-tha Venera Jonoska – mësuese në kopsht.

Çdo mëngjes, kopshti ishte dezinfektuar dhe rasti ishte raportuar në polici.

Kemi dry në dyer, por prapë gjejnë mënyra për t’u futur. Brenda dy javësh ata u futën katër herë”-pohoi Vesna Jordanoska – përgjegjëse për kopshtin Rosica.

Policia i arrestoi ata gjatë fundjavës. Bëhet fjalë për tre të mitur nga Ohri, të cilët u gjetën duke vjedhur në kopshtin e fëmijëve. Ata u thirrën në stacion policie ku në prani të prindërve të tyre dhe përfaqësuesve të Qendrës për Çështje Sociale, u zhvillua bisedë. Nga kopshti thonë se ata do të përpiqen me mjetet e tyre të punësojnë një roje ose të vendosin alarm.