Kontrollorët e trafikut ajror do të hyjë në grevë të mërkurën nëse qeveria i nuk shkarkon drejtorët e M-NAV

Nëse drejtorët e Navigacionit të Maqedonisë (M-NAV) nuk japin dorëheqje ose Qeveria nuk i shkarkon në seancën e ardhshme të caktuar për të martën (09.01.2024), Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror do të hyjë në grevë nga dita e mërkurë, duke mbyllur hapësirën ajrore, transmeton Portalb.mk.

Kjo është një nga vendimet dhe kërkesat e Sindikatës të marra në mbledhjen e jashtëzakonshme të anëtarëve të mbajtur mbrëmë vonë, për të cilën ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës, Aleksandar Tasevski, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook herët në mëngjes.

Mbledhja e jashtëzakonshme e Sindikatës pasoi përshkallëzimin e ngjarjeve në Navigacionin e Maqedonisë gjatë ditës së djeshme, pas depërtimit të disa personave, të cilët së bashku me një punonjës të Navigacionit sulmuan një tjetër punonjës të institucionit.

“Po e informoj opinionin maqedonas dhe mediat se mbrëmë vonë është mbajtur mbledhja e jashtëzakonshme e anëtarësimit të SKTA-së ku dënuam ashpër sulmin ndaj kolegut tonë dhe konfirmuam qëndrimin se sulmi ndaj tij është sulm ndaj secilit prej nesh“, thotë Tasevski në postim.

Siç informoi i pari i sindikatës, në mbledhje janë marrë katër vendime dhe kërkesa.

E para është që Ministria e Punëve të Brendshme të nisë menjëherë një procedurë për gjetjen e pjesëmarrësve në të gjithë ngjarjen.

“…si dhe personave që nuk janë të punësuar në kontrollin e trafikut ajror, por kanë qenë të pranishëm në perimetrin e sigurisë së objektit dhe vetë objektit të kontrollit të trafikut ajror, por edhe personave të punësuar tek ne, të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë dhe ndihmuan gjithë ngjarjen e cila u finalizua me sulm fizik ndaj kolegut tonë të trafikut ajror. Përderisa po vazhdonte takimi ynë, MPB-ja ka lëshuar një njoftim zyrtar se katër persona janë arrestuar dhe po merren në pyetje, pas së cilës do të vijojë raporti përkatës, por edhe se janë duke u kërkuar 4 persona të tjerë”, shkruan Tasevski.

Konkluzioni i dytë i takimit, sipas tij, i referohet, siç thotë ai, dështimeve evidente të sigurisë së shërbimeve të ngarkuara me sigurimin e objektit dhe personave të punësuar në Kontrollin e Trafikut Ajror.

“I është kërkuar Ministrisë së Brendshme që ta sigurojë atë, por edhe punonjësit, duke vendosur zyrtarë, veçanërisht pasi është një objekt strategjik shtetëror, por edhe për faktin se kontrollorët e trafikut ajror nuk do të vazhdojnë të punojnë nën frikën e justifikuar se në çdo moment dikush nga jashtë mund të hyjë dhe të rrezikojë jetën e tyre, e me këtë edhe jetën e pasagjerëve në avionët që i shërbejmë. Menjëherë janë dërguar zyrtarë nga MPB-ja për të mbrojtur sigurinë e objektit, por edhe të punëtorëve”, thotë Tasevski.

Sindikata Profesionale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror u bën thirrje tre drejtorëve ekzekutivë të M-NAV që menjëherë të japin dorëheqje nga postet e tyre, para së gjithash për arsye morale, për shkak të përshkallëzimit të situatës në kontrollin e trafikut ajror, e cila, siç thekson kryetari i Sindikatës, është për faj të tyre.

“Ata kanë treguar se jo vetëm që nuk janë në gjendje të menaxhojnë me sukses navigacionin maqedonas, por nuk janë në gjendje të mbrojnë punonjësit e tyre dhe vetë objektin nga ndërhyrjet e personave të paautorizuar. Dhe pasi kanë kaluar më shumë se 11 orë nga sulmi ndaj kolegut tonë, asnjëri prej tyre nuk e gjeti të nevojshme të dënonte publikisht të gjithë ngjarjen, të dilte me një qëndrim zyrtar për atë që ndodhi në një institucion që duhet të përfaqësojë majat e sistemit të sigurisë, ata nuk guxuan t’i ofronin ndihmën e tyre kolegut tonë të dëmtuar dhe as të garantonin sigurinë e mëtejshme të punonjësve të cilët pavarësisht gjithçkaje duhej të qëndronin në vendin e punës dhe të vazhdojnë të kontrollojnë trafikun ajror”, thotë Kryetari i Sindikatës në njoftimin në rrjetin social.

Sindikata u bën thirrje drejtorëve që të mos presin shkarkimin e tyre siç ka paralajmëruar Qeveria dje në mbrëmje për seancën e radhës të caktuar për 9 janar, sepse “tashmë kanë shkaktuar dëm të mjaftueshëm”.

“Nëse drejtorët ende nuk tregojnë virtyt për të dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, i bëjmë thirrje Qeverisë që në seancën e radhës të datës 09.01.2024 të shkarkojë të gjithë drejtorët dhe të hapë procedurë urgjente për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të menaxhmentit dhe Bordi Drejtues, një proces transparent dhe ligjërisht i paraparë, si fillim i qetësimit të të gjitha tensioneve, por edhe që mundëson normalizimin e të gjitha proceseve që janë të nevojshme për funksionimin e mëtejshëm normal të navigimit. Ndryshe, SKTA shpall grevë me mbyllje të hapësirës ajrore duke filluar nga data 10.01.2024 deri në plotësimin e të gjitha kërkesave tona”, thekson Tasevski.

Ai shton se nëse detyrohen të hyjnë në grevë, kërkojnë nga qytetarët që të kenë mirëkuptim për veprimet e tyre, pavarësisht problemeve me të cilat do të ballafaqohen gjatë udhëtimit të tyre ajror.

Për ngjarjen e djeshme dhe aktivitetet e mëtejshme, Sindikata tashmë ka njoftuar të gjitha institucionet ndërkombëtare të aviacionit, sindikatat dhe shoqatat e kontrollorëve të trafikut ajror nga Evropa. Ata presin që përfaqësuesit e tyre të vijnë së shpejti si ndihmë dhe mbështetje shtesë, thotë Tasevski.

Ndërhyrja e djeshme në Navigacionin e Maqedonisë ndodhi menjëherë pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror mbajti konferencë për media ku informoi se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime.

Një nga personat që hynë në ambientet e M-NAV-së, sipas informacioneve të publikuara nga TV Alsat, është kryetari i degës së BDI-së në Çair, Bekim Neziri.

Policia nuk e konfirmon identitetin e sulmuesit, por thotë se sulmi është kryer nga një person me iniciale B.N. – i punësuar në institucion.

Kujtojmë se ky institucion, veçanërisht kohëve të fundit, ka pasur përplasje të vazhdueshme, si pasojë e punësimeve partiake. Shpalljet, siç deklarojnë nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror, janë joligjore. Ato zgjasin vetëm disa ditë, duke pamundësuar mbledhjen e dokumentacionit për të interesuarit dhe siç pretendojnë të punësuarit dhe sindikalistët janë shpallje sa për sy e faqe, ndërsa personat faktikisht janë të përzgjedhur paraprakisht nga partitë politike. Ata disa herë kërkuan tërheqjen e shpalljeve, për të cilat drejtori Fahrudin Hamidi tha se ato shpallje janë “padyshim ndonjë gabim”.

Në faqen e Agjencisë së Punësimit u publikuan dy shpallje nga M-NAV, të cilat ishin për dy ditë nga 14 deri më 16 dhjetor dhe nga 15 deri më 17 dhjetor, përkatësisht për “këshilltar të pavarur për çështje të personelit” dhe për “navigator të aviacionit”.

Për shpalljet në fjalë, Sindikata kërcënoi se do të hyjë në grevë gjatë periudhës së festave, mirëpo e njëjta u anulua “për disa arsye operacionale”.