Kontributi i Kumanovës për viktimat e tërmetit të Shkupit – përkujdesje për mbi 20 mijë persona

 Fatkeqësia nga tërmeti i vitit 1963 në Shkup, tronditi thellë banorët e Kumanovës dhe rrethinën. Menjëherë pas tërmetit katastrofik, qytetarët, qeveria dhe organizatat socio-politike, morën masa urgjente për pranimin e të plagosurve dhe refugjatëve nga Shkupi. Kumanova fillimisht ka ofruar ndihma për viktimat e tërmetit të Shkupit dhe është kujdesur për mbi 20 mijë persona Kështu atëbotë shkruante gazeta locale e Kumanoves e “Nash Vesnik”, në tekstet e botuara më 1 gusht 1963, pesë ditë pas tërmetit katastrofik në Shkup, ku humbën jetën 1070 persona dhe qyteti u shkatërrua plotësisht. Gazeta e cila botohej çdo 15 ditë ne Kumanovë, në numrin e parë pas fatkeqesise, ka raportuar në detaje se si qytetarët e Kumanovës dhe pushteti lokal i janë bashkuar luftës për të shpëtuar çdo jetë dhe për t’u kujdesur për njerëzit që kanë mbetur të pastrehë. “Brenda pak minutash pas tërmetit është bërë gati Spitali i Kumanovës, e më pas janë përshtatur edhe internatet në Qendrën Bujqësore dhe Shkolla Periodikale për përkujdesjen e popullatës. Në këto godina ishin parashikuar rreth 500 shtretër. Qytetarët hapën gjerësisht shtëpitë e tyre për refugjatët, kurse 3 mijë anëtarë të Bashkimit Socialist dhe organizatave të tjera, u punësuan për t’i pranuar të plagosurit dhe për të evakuuar. Për disa ditë makinat transportonin të plagosurit e tërmetit”. Sipas raportimeve të gazetarëve të Kumanovës, të gjitha forcat në qytet janë fokusuar për t’i shpëtuar të lënduarit. Në spitalin e Kumanovës ishin përgatitur 500 shtretër dhe të gjithë mjekët e stafi mjekësor, ishin në punë. Ata ishin të parët që filluan t’u japin ndihma të plagosurve dhe më pas në ndihmë erdhën ekipet e spitalit të Beogradit “Dragisha Mishoviq”, një ekip tjetër nga Beogradi, pastaj nga Leskovci, Qupria, Zemuni dhe Svetozareva (Jagodina e sotme ne Serbi). Spitali kishte 14 kirurgë dhe 6 mjekë specialist që ishin te nevojshem per nje ekip kirurgjik mjekesor. Ekipi drejtohej nga menaxheri i Qendrës Mjekësore në Kumanovë, dr. Aleksandar Ivanovski, i cili atëherë deklaroi se stafi i spitalit dhe ekipet që erdhën për të ndihmuar, me gjithë zemër u angazhuan për të shpëtuar jetën e të lënduarve. “Kemi punuar shumë orës, pa pushim, pa ushqim, pa turne. “Disa mjekë nuk e kanë lëshuar vendin e punës nga momenti i fatkeqesise deri në ditën e tretë”, shpjegonte doktor Ivanovski. Në Aeroportin Sportiv “Haxhi Tepe” Kumanovë, ishte hapur një spital ushtarak amerikano-polak, ku u trajtuan rreth 100 të persona rëndë të plagosur. Për nevojat e të plagosurve u organizuan aksione masive të dhurimit të gjakut, në të cilat morën pjesë një numër i madh i kumanovarëve. Vetëm ditën e parë u regjistruan mbi 2000 vullnetarë, pasta nga Presheva erdhën rreth 150 të rinj dhe të reja, 100 të tjerë nga Vranja, 50 nga Likova dhe rreth 100 nga Kratova dhe Kriva Pallanka. Një ditë pas tërmetit, më 27 korrik, presidenti i atëhershëm i Republikes Socialiste Federative te Jugosllavise (RSFJ) Josip Broz Tito, së bashku me lidershipin më të lartë të shtetit,i vizitoi të lënduarit në spitalin e Kumanovës, pasi paraprakishte kishte vizituar Shkupin e rrenuar teresisht. “Presidenti i Republikës Josip Broz Tito, pastaj nënkryetari i Republikës Aleksandar Rankoviq, kryetari i Asamblesë Federale Edvard Kardelj, kryetari i Bordit Federal të SSRNJ-së Lazar Kolishevski, Presidenti i Bordit Ekzekutiv Federal Petar Stambolic, kryetari i Sindikatave të Jugosllavisë Svetozar Vukmanoviq-Tempo dhe shumë drejtues të tjerë të kreut më të lartë të RSF Jugosllavisë dhe Maqedonisë, vizituan spitalin e Kumanovës. Presidenti Tito, vizitoi të plagosurit nga tërmeti katastrofik në Shkup. Shoku Tito shkoi nga shtrati në shtrat, bisedoi me të lënduarit lehtë dhe u interesua për gjendjen e tyre shëndetësore. Më pas të gjithë vizituan sallën e operacionit. Shoku Tito ishte i interesuar nëse spitali kishte mjaft staf mjekësor, medikamente dhe pajisje të tjera për të ofruar ndihmë efektive për të plagosurit. Duke u larguar, Tito u tha: “E di që keni bërë shumë përpjekje për të ndihmuar viktimat, por edhe një herë ju kërkoj të bëni gjithçka që të mos humbasë më jetë”, shkruan gazeta e atehereshme locale kumanovare “Nash Vesnik”.
Kumanova ka qenë e para që ka ofruar ndihmë për viktimat në Shkup, raportonin gazetaret atebote. Edhe pse nuk dihej numri i saktë, mendohej se ishin rreth 20 mijë. Kumanova në ato ditë ishte qendra e të gjithë atyre që në atë kohë u gjendën në rrugët që të çonin në Shkup. Të gjithë hotelet ishin të mbushura me çati mbi kokë dhe një shtrat për ata që u gjendën jashtë shtëpive të tyre, si dhe për turistët e huaj që u gjendën në vend. Pothuajse çdo familje pranoi per kujdes, një ose dy familje. Qytetarët e evakuuar u vendosën në ambientet e institucioneve administrative dhe arsimore, të cilat ishin caktuar përkohësisht për këtë qëllim dhe disa qindra fëmijë u pranuan dhe u vendosën në ndërtesa kolektive ose në familje. Për ta u angazhuan punëtorë arsimor për të organizuar aktivitete dhe argëtime të ndryshme. Për shkak të gjendjes së emergjencës në qytet, Shtabi i Qarkut për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore po mblidhte dhe koordinonte vazhdimisht aktivitetet për strehimin e të lënduarve dhe të evakuuarve nga zona e rrezikuar. U mor një urdhër që burrat nga mosha 18 deri në 55 vjeç të mos largoheshin nga qyteti dhe të gjitha makineritë teknike dhe mjetet e transportit u vunë në punë për të ndihmuar në pastrimin e rrënojave në Shkup. Jeta në qytet vazhdonte normalisht dhe furnizimi me ushqime dhe ilaçe po shkonte mirë. U morën masa për të mos lejuar rritje të çmimeve të disa produkteve, të cilat shiteshin nga prodhues individual. Për shkak të numrit të madh të njerëzve, sidomos fëmijëve, për të parandaluar shfaqjen e sëmundjeve infektive, shërbimet mjekësore morën disa masa dhe gjithçka filloi me vaksinimin kundër tifos, paratifos dhe tetanozit. Hoteli “Kumanova”, ishte shnderruar në restorant për ushqime sociale dhe aty kanë ngrënë punonjësit e institucioneve republikane, për shkak se ju ishin shkatërruar objektet në Shkup. Për nevojat e tyre u liruan ndërtesat e Kryqit të Kuq, Konvikti i Shkollës, Zyra e Punësimit dhe të tjera. Posta e Kumanovës ishte qendër dhe vend pune, për rreth 100 gazetarë vendas dhe të huaj, të cilët raportuan për aksidentin në Shkup. Administrata e postës i vuri në dispozicion të gjitha ambientet dhe çdo ditë merreshin 2000 telegrame nga të gjitha anët e vendit. Meqenëse lidhja telekomunikuese e Kumanovës u ndërpre përmes Shkupit, e gjithë posta u transportua me vetura në Shtip, Veles, Vranjë dhe qytete të tjera përreth. Gazeta publikoi emrat e personave që ndodheshin në akomodimin kolektiv, në mënyrë që të afërmit t’i gjenin. Në botimin e atëhershëm të “Nash Vesnik”, tekstet nuk ishin ilustruar me asnjë fotografi për gjendjen në qytet, për të cilën redaktorët u kërkonin falje lexuesve dhe sqaronin se një gjë e tillë ndodh për shkak të problemeve teknike në shtypshkronjën në Shkup./KumanovoNews, Suzana Nikoliq