Kontesti Shkup-Sofje, Petkov: Është koha për të bërë një hap para!

Kryeminsitri bullgar, Kiril Petkov gjatë vizitës së tij në Manastir tha se të dy palët duhet të bashkohen për të gjetur zgjidhjen e kontestit mes dy vendeve, përcjell TV21. Petkov tha se është koha për të bërë një hap përpara rreth gjetjes së zgjidhjes përfundimtare për çështjen mes Shkupit dhe Sofjes.

“Jam i lumtur që jam këtu. Kam premtuar se kur të bëhem kryeministër do të vij në Maqedoni. Të dyja palët duhet të gjejnë një urë që do të krijojë marrëdhënie edhe më të mira dhe do të mundësojë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Dhe nëse punojmë të gjithë së bashku, ka një mundësi reale për këtë. Nëse bashkohemi, nëse bashkojmë të gjitha forcat, kemi mundësi të bëjmë një hap përpara. Kjo nuk do të ndodhë në bazë të dokumenteve, por me punë të përbashkët. Unë do të thoja që ne duhet të përdorim potencialin, të pajtohemi dhe ta bëjmë këtë rajon, vendin me rritje më të shpejtë. Besoj se mundemi. Për momentin, kjo që po ndodh ka anët e mira dhe jo aq të mira, por është koha për të bërë një hap para”, tha Petkov.