Memli Krasniqi dyshon se Kuvendi është konstituuar
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se konstituimi i Kuvendit “duket se ende nuk e ka marrë përgjigjen e plotë”, pavarësisht emërimit të nënkryetarit të pestë dhe të fundit.
“Unë mendoj që ka pasur hapësirë tjetër për konstituim legal ose kushtetues, sepse kryetari i Kuvendit mundohej të konsultohej me ata që i japim udhëzime në vend se të jepte interpretim. Ishte një konstatim se u është bërë konstituimi por si do të shkojë tutje mbetet të shihet”, tha Krasniqi pas seancës.
Partia e tij nuk votoi për Rashiqin, pasi zgjodhi të abstenoi, duke thënë se “qëndrimi ynë ka qenë gjithmonë i qartë, ne kemi vendosur për të gjithë njëjtë, sepse ndryshe i bie të biem në grackën e albin Kurtit që i ndan serbët sipas lojaliteteve të tij”.
Krasniqi theksoi gjithashtu se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme “sa më parë”.
“Për neve është e rëndësishme që konstituimi të jetë final dhe të futemi në afate kushtetuese për formimin e qeverisë së re”, tha ai.
“Duke e ditur se asnjëra palë nuk e ka shumicën parlamentare, besoj se ajo që është më rëndësishme tani, është ta gjejmë mekanizmin që na dërgon në zgjedhje të parakohshme sa më shpejt dhe pa vonesa. Shpresoj se do të ketë racionalitet mes palëve për të arritur pajtueshmëri për këtë”, shtoi ai.
Rashiq falenderon deputetët që e votuan për nënkryetar
Nenad Rashiq, nënkryetari i sapozgjedhur nga radhët e komunitetit serb, shkurtimisht falenderoi deputetët që votuan për zgjedhjen e tij.
“Jam falenderues shumë ndaj kolegëve të mi të cilët sot kanë votuar për mua dhe shpresoj që sot ky do të jetë një fillim i ri për ndërtimin e institucione sa më parë që të jetë e mundur”, tha Rashiq.
Ai mori 71 vota pro, duke siguruar votat e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe disa prej deputetëve të minoriteteve joserbe.
Bajrami: E votuam Rashiqin shkaku i aktgjykimit të Kushtetueses
Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se arsyeja pse deputetët e LDK-së votuan për Nenad Rashiqin si nënkryetar të Kuvendit është aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese.
“Ne votuam për Nenad Rashiqin sot sepse aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka dhënë një interpretim të cilin ne nuk e kishim paraparë dhe, sipas asaj që ne kemi kuptuar, ai ka të drejtë të zgjedhet nënkryetar nga komuniteti serb”, tha Bajrami.
Lista Serbe insistoi se të drejtë për t’u zgjedhur nënkryetar nga radhët e komunitetit serb kanë vetëm deputetët e Listës Serbe pasi që ata përfaqësojnë vullnetin e shumicës së komunitetit serb.
E pyetur nëse do të ketë ndonjë koalicion për formim të qeverisë, Bajrami shprehu skepticizëm pasi që tha se nuk ka shumë kohë për një marrëveshje të tillë.
“Nëse nuk formohet qeveri, votat e LDK-së do të jenë për shpërbërje të Kuvendit”, tha Bajrami.
Basha e shpall të konstituuar Kuvendin
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli Kuvendin e Kosovës të konstituuar pasi Nenad Rashiq u zgjodh nënkryetar i Kuvendit nga pakica serbe.
Rashiq është nënkryetari i pestë i Kuvendit.
Ai e deklaroi gjithashtu të mbyllur seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Kjo nënkupton se tani është hapur rruga edhe për formimin e qeverisë së re të vendit, shumë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Nenad Rashiq zgjidhet nënkryetar
Nenad Rashiq, nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, pas dështimit të nëntë propozimeve të Listës Serbe dhe kalimit në zgjedhjen e nënkryetarit përmes procedurës së shortit.
Me 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime, ai u bë njëri nga pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës.
Përveç votave nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa prej deputetetëve të komuniteteve joshumicë joserbe, ai siguroi edhe votat e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan, ndërsa Lista Serbe votoi kundër.
Basha kërkon short për nënkryetarin, pasi Simiq nuk e propozoi Rashiqin
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka kërkuar që votimi për nënkryetarin serb të Kuvendit të vazhdojë më short, duke e kritikuar përfaqësuesin e deputetëve serb, Igor Simiqin e Listës Serbe, se nuk pranoi ta propozonte Nenad Rashiqin.
Rashiqi vjen nga partia serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
“Meqë po refuzohet të propozohet kandidati i mbetur, i cili po ashtu përfaqëson komunitetin serb, që është në harmoni të plotë me nenin 67 të Kushtetutës, atëherë në bazë të Rregullores së Punës së Kuvendit, jam i detyruar të vazhdoj me procedurës e shortit si mekanizëm zhbllokues”, tha Basha.
Simiq nga Lista Serbe tha se nëse do ta propozonte dike tjetër, do të ishte “shkelje kushtetuese”.
“Ne mund të propozojmë sërish dikë nga komuniteti serb, por vetëm këta kandidatë [të propozuar më parë] kanë të drejtë në bazë, të Kushtetutës dhe në bazë të Rregullores së Kuvendit. Gjithçka tjetër do të ishte shkelje e Kushtetutës dhe e Rregullores. Kjo pozitë i takon vetëm grupit të Listës Serbe”, tha ai.
Dështojnë të gjitha propozimet e Listës Serbe për postin e nënkryetarit
Deputeti Igor Simiq, njëjtë si të gjithë deputetët e tjerë të Listës Serbe, dështoi të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar.
Kështu, tani nuk ka mbetur asnjë deputet nga Lista Serbe që mund të propozohet për ta marrë postin e nënkryetarit.
I vetmi deputetet i mbetur nga komuniteti serb është Nenad Rashiq, i cili megjithatë vjen nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
S’ka votë as për Sërxhan Popoviqin
Sërxhan Popoviqi është kandidati i radhës, ai i parafundit nga Lista Serbe, që dështon në tri tentime të marrë vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit.
Edhe ai mori vetëm 9 votat e partisë.
Tani Lista Serbe ka vetëm edhe një kandidat për ta propozuar
As Kovaçeviq nuk zgjedhet nënkryetar
Stefan Kovaçeviq, deputeti i shtatë i propozuar nga Lista Serbe, dështoi t’i marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar.
Në tria tentimet, ai siguroi vota vetëm nga nëntë vota, të gjitha nga deputetët e Listës Serbe.
Branisllav Nikoliq, kandidati i radhës që dështon
Kandidatët e Listës Serbe vazhdojnë të dështojnë në përpjekjet për t’i marrë 61 votat e nevojshme për pozitën e nënkryetarin të Kuvendit të Kosovës.
Edhe Branisllav Nikoliqi i mori vetëm 9 votat e partisë.
Ai ishte i gjashti në radhë, dhe tani Lista Serbe ka vetëm edhe tre kandidat për t’i propozuar për votim.
Dështon edhe propozimi i pestë i Listës Serbe
Milana Nikolliq nga Lista Serbe, deputetja e pestë e propozuar nga kjo parti për postin e nënkryetares, ka dështuar t’i marrë votat e nevojshme për ta marrë atë post.
Në të tria tentimet, ajo mori vota për vetëm nga bashkëpartiakët e saj.
Kështu, tani kanë mbetur vetëm edhe katër deputetë të tjerë nga Lista Serbe që mund të kandidohen për postin e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
S’ka votë as për Verika Qenariqin
Verika Qenariq është kandidatja e katërt e Listës Serbe që dështon t’i marrë votat e nevojshme për nënkryetare të Kuvendit të Kosovës.
Në tri votime të ndara, ajo i mori vetëm nëntë votat e partisë.
Edhe Stefanoviq dështon t’i marrë votat e nevojshme
Si dy bashkëpartiakët e tjerë që u propozuan para saj, edhe Lilana Stefanoviq nga Lista Serbe dështoi në të tria tentimet t’i sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.
Ajo mori vota për vetëm nga bashkëpartiakët e saj.
As Zllatan Ellek nuk i merr votat e nevojshme në tri tentime
Kandidati i dytë i propozuar nga Lista Serbe, Zllatan Ellek, nuk i ka marrë votat e nevojshme për t’u emëruar nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, në tri tentimet e mundshme.
Sikurse bashkëpartiaku i tij Simiq, Elleku mori vetëm 9 vota për në secilin votim, pra vetëm votat e deputetëve të partisë së tij.
Simiq nga Lista Serbe dështon tri herë në kandidimin për nënkryetar
I propozuari i Listës Serbe për postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Sllavko Simiq, ka dështuar t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.
Nga 105 deputetë të pranishëm, ai në të tria tentimet mori vetëm nëntë vota nga deputetët e Listës Serbe pro. Kundër votuan deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje dhe disa nga deputetët e minoriteteve joshumicë, ndërsa të tjerët abstenuan.
Ai nuk mund të kandidohet më, pasi që Gjykata Kushtetuese ka konstatuar më parë se një deputet mund të propozohet vetëm deri në tri herë.
Simiq ishte propozuar nga Lista Serbe edhe në seancën paraprake, por as atëherë nuk kishte siguruar votat e mjaftueshme.
Bajrami: Duhet marrëveshje politike për konstituim të Kuvendit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, nuk tregoi se si do të votojnë deputetët e partisë së saj në seancën e sotshme, por shtoi se “me 20 votat e LDK-së, Kuvendi nuk mund të konstituohet”.
Ajo insistoi se “LVV-ja duhet t’i thërrasë partitë e tjera për konsultim për konstituimin e Kuvendit, presim ftesë për marrëveshje politike”.
Rashiq thotë se do të kandidojë “nëse më vjen radha”
Deputeti Nenad Rashiq nga partia serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë njoftoi se do të kandidojë për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, nëse i mundësohet.
“Nëse vjen radha ime, siç kam thënë gjithmonë jam politikan i përgjegjshëm, dhe nëse votojnë për mua, unë natyrisht që do ta marrë përgjegjësinë. Nuk e di si do të shkojë procesi, nëse Lista Serbe i shpenzon krejt kandidatët dhe pastaj vjen radha ime, unë do të kandidoj”, tha Rashiq para seancës.
Kushtetuesja tha se partisë më të madhe serbe, në këtë rast Listës Serbe, i takon të parës të propozojë kandidat për nënkryetarin serb.
Por, nëse Lista Serbe dështon ta zgjedhë nënkryetarin, atëherë gjykata la të hapur mundësinë për votim me short dhe kjo do t’i jepte mundësi Rashiqit të kandidojë.
Konjufca: Kuvendi do të konstituohet sot, Kurti do të bëhet sërish kryeministër
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se Kuvendi i Kosovës do të konstituohet sot.
“Së shpejti do ta kemi Albin Kurtin kryeministër për herë të tretë. Prej nesër fillon rrjedhja e kohës për formimin e Qeverisë sepse sot do të kemi Kuvend të konstituuar”, tha ai, para fillimit të seancës.
I pyetur nëse ka pasur negociata me ndonjë parti, ai tha se “negociatat gjithmonë ndodhin, bisedimet gjithmonë ndodhin”.
LVV-ja ka theksuar sërish se nuk do ta votojë asnjë deputet të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, për pozitën e nënkryetarit.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se nënkryetar nga komuniteti serb duhet të zgjedhet Nenad Rashiq, nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
“Rashiq i mori 56 vota [në seancën e kaluar], nevojiten edhe 5 vota nga 52 deputetët shqiptarë”, tha Murati.
Bahtiri: Rashiq do të zgjedhet nënkryetar
Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Agim Bahtiri, tha se ai dhe deputetët e tjerë nga partia e tij nuk do të votojnë për askënd tjetër nga komuniteti serb përveç për Nenad Rashiqin për postin e nënkryetarit të Kuvendit.
“Sigurisht që Rashiq do të zgjedhet. Gjërat kanë ndryshuar. Janë vetëdijësuar”, tha Bahtiri, para seancës, kur u pyet nëse kanë siguruar vota të mjaftueshme për Rashiqin, pas dështimit në seancën e fundit.
Rashiqi, nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, është i vetmi deputet serb që nuk është pjesë e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon nëntë nga dhjetë ulëset në Kuvend të rezervuara për këtë komunitet.
Time Kadrijaj: Nuk do ta votojmë asnjë kandidat
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka bërë të ditur se partia e saj nuk do të votojë për asnjë kandidat për nënkryetarin serb të Kuvendit të Kosovës.
“Nuk e votojmë asnjë. Ata që e kanë bllokuar [Kuvendin] le ta zhbllokojnë. Ne kemi dashur t’i japim epilog. Asnjëherë nuk është politizuar kështu zgjedhja e një nënkryetari”, tha ajo për gazetarë.
E pyetur nëse do të votonin për Nenad Rashiqin nga partia Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Kadrijaj u përgjigj jo përsëri.
AAK-ja i ka 5 ulëse në Kuvend.
Kadrijaj theksoi se qëllimi i Lëvizjes Vetëvendosje, në vazhdimësi, ka qenë që të mos konstituohet Kuvendi.
“Ju e dini që ka bërë minimumin e përpjekjeve për sigurimin e votave, qoftë edhe për kryetarin e Kuvendit. Ne kemi dashur t’i japim epilog për ta tejkaluar këtë gjendje. E keni parë që në mënyrë arbitrare, pa ndonjë mocion apo marrëveshje, është ndarë votimi i nënkryetarëve të komunitetit joshumicë, në mënyrë që t’i shkaktojë këto kauza të Albin Kurtit”, tha ajo.
Çfarë tha Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e plotë?
Gjykata Kushtetuese vendosi se zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb është e domosdoshme për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Paraprakisht, kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin në mënyrë të njëanshme.
Kushtetuesja gjithashtu tha se votimi në pako për nënkryetarët e Kuvendit nuk është i imponueshëm, por mund të realizohet me dakordim ndërmjet grupeve parlamentare.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit – ishte ankuar pikërisht për këtë pikë të procedurës, duke pretenduar se mosvotimi në pako i dy nënkryetarëve nga pakicat, përbënte shkelje.
Kuvendi i ka zgjedhur kryetarin, tre nënkryetarët shqiptarë dhe nënkryetarin nga pakica joserbe tashmë, por ka dështuar ta zgjedhë atë nga pakica serbe – me gjithë vazhdimet e pafundme të seancës së nisur më 15 prill.
Deputetët do të kenë tani 12 ditë kohë, sipas urdhrit të gjykatës më të larët të vendit, për ta zgjedhur nënkryetarin serb dhe për ta bërë Kuvendin e ri përfundimisht.
Megjithatë, gjykata nuk ka sqaruar as në aktgjykimin e fundit të saj se çfarë ndodh tutje nëse nuk zgjidhet nënkryetari serb dhe Kuvendi nuk konstituohet brenda 12 ditëve afat.
Sot do ta mbulojmë drejtpërdrejt vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku deputetët pritet të votojnë për ta zgjedhur nënkryetarin e pestë nga pakica serbe për ta përmbyllur përfundimisht konstituimin e organit ligjvënës.
Na ndiqni!/REL