
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se janë në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e konstitutimit të Kuvendit të Kosovës.
“Ta presim aktgjykimin se çfarë do të thotë”, ka thënë shkurt kryeministri Kurti sot para mediave.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë të martën vendim lidhur me ankesën e Listën Serbe, ku ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës nuk mund të konsiderohet i konstituar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb dhe ka obliguar deputetët që ta përfundojnë këtë proces brenda 12 ditësh.
Mirëpo, deri në publikimin e Aktgjykimit në Gazetën Zyrtare kur edhe hynë në fuqi Aktgjykimi, do të vazhdojë masa e përkohshme e cila ka hyrë në fuqi që nga data 5 shtator dhe e cila ishte paraparë të skadonte më 1 shtator.
Me masën e përkohshme, deputetëve u ndalohet çdo veprim si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë.
Rrjedhja e afatit 12 ditor do të fillojë tek pas publikimit të Aktgjykimit në Gazetën Zyrtare.
Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e zgjedhur që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
© SYRI.net