Konkursi për Avokatin e Popullit, kuvendi nuk sqaron vonesat

Kuvendi vazhdon të mos sqarojë se pse nuk është shpallur akoma konkursi publik për zgjedhjen e Avokatit të popullit. Alsat kërkon sqarime prej muajsh mirëpo nuk dihet se pse ligjvënësi anashkalon këtë detyrim. Kryetari i Komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime Kostadin Kostadinov thotë se kompetent për shpalljen e konkurseve është kryeparlamentari, nga kabineti i të cilit vazhdojnë të heshtin.

Mandati i dytë i Avokatit aktual të popullit, Ixhet Memeti, skadon më 24 dhjetor.

Sipas ligjit për Avokatin e popullit, Kuvendi ka obligim ligjor që ta fillojë procedurën për zgjedhje të Avokatit të Popullit dhe zëvendësve të tij, tre muaj para skadimit të mandatit të tyre. Kjo nënkupton se Kuvendi është dashur ta fillojë procedurën për zgjedhje të Avokatit të ri të Popullit dhe zëvendësve të tij më së voni deri më 24 shtator. Në njërin nga takimet joformale të kryeparlamentarit Talat Xhaferi me gazetarët, ai kishte deklaruar se konkursi do të shpallet kur të ketë marrëveshje mes partive politike. Nuk është akoma e qartë pse nevojitet marrëveshje politike, për një post

Në këtë frymë, partitë politike prej kohësh edhe publikisht janë përplasur për atë se kush duhet ta zgjedhë avokatin e popullit. Opozita, këmbëngul se ky post u takon atyre.

Komiteti i Helsinkit vlerëson se procedura për zgjedhjen e Avokatit të popullit duhet të kishte filluar në kohë ose të fillojë urgjentisht, dhe të jetë transparente.

Sinqerisht mendoj se tre javë janë një afat shumë i shkurtër për të pasur një procedurë transparente, efikase dhe ligjore për zgjedhjen e Avokatit të popullit. Një pjesë e partive politike madje edhe publikisht guxuan të njoftojnë se planifikojnë përzgjedhje partiake ose kandidat partiak për këtë pozitë. Kjo është në kundërshtim me të gjitha parimet ndërkombëtare për statusin e institucioneve kombëtare për të drejtat e njeriut – deklaroi Igor Jadrovski, Komiteti i Helsinkit.

Ky sipas Jadrovskit është edhe një paralajmërim se ndoshta edhe 20 vite pas funksionimit të institucionit Avokat i popullit, nuk do të kemi institucion të pavarur dhe të paanshëm.