Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka thënë se kur është puna për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nuk ka parti politike.
Konjufca e ka cilësuar të drejtë marshin në kërkim të drejtësisë për ish-udhëheqësit e UÇK-së që po akuzohen për krime lufte nga Specialja, që do të mbahet të martën në Prishtinë, në përvjetorin e Pavarësisë.
“Përveç kësaj, motoja e atij është shumë qëlluar. Është jo politikë, por drejtësi, duhet për ne, për Kosovën, por të gjithë ata të cilët po përballen me këtë padrejtësi në Dhomat e Specializuara. Pjesëmarrja po duket që do të jetë e madhe e qytetarëve të Kosovës. Ne duhet të tregojmë që jemi unik si popullatë, si qytetarë, kur përballemi me akuza ndaj UÇK-së dhe kur është puna për UÇK-në, nuk ka parti politike”, ka thënë ai në një intervistë për televizionin publik.
Konjufca ka përsëritur se do të jetë në Hagë në procesin përmbyllës të gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit.
Ai e ka quajtur skandaloze aktakuzën ndaj tyre.
“Ne si shtet mendojmë që kjo ishte një aktakuzë skandaloze sa i përket krerëve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne kemi qëndrimin e qartë që UÇK-ja është në bazën e lirisë edhe pavarësisë së shtetit tonë. Ajo është vlera më sublime që ka arrit me kriju populli i Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Konjufca ka thënë se UÇK-ja ka dalë prej gjirit popullor. Ai ka shtuar se kushdo që pretendon se qëllimi i UÇK-së ka qenë spastrimi i serbëve apo eliminimi i figurave tjera politike, bën huqje të rrezikshme.
“Kjo është një huqje shumë e rrezikshme, e cila qëllimin e ka fort të keq, dhe ky qëllim është me vendos re të zeza mbi shtetësinë dhe mbi pavarësinë e Republikës së Kosovës. Prandaj, ne nuk do ta lejojmë këtë. Ne do ta ngrisim zërin kundër këtyre aktakuzave dhe unë jam fort i bindur që për shkak të pastërtisë së luftës që ka ndodhur, e cila ka qenë luftë mbrojtëse, jo luftë kushtuese, jo luftë për me e rrënu popuj tjetër, po për me ngrit popullin tonë drejt lirisë edhe drejt pavarësisë, pikërisht për shkak të kësaj se ne besojmë në mënyrë paluhatshme, në pastërtinë e luftës sonë dhe unë në besoj fort që në muajin prill këto aktakuza, Gjykata i hedh poshtë. Do t’i hedhë poshtë si paqëndrueshme. Krerët e UÇK-së kthehen në mesin tonë dhe në mesin e familjeve tyre, të cilat atyre i kanë munguar aq gjatë. Dhe fiton Kosova përmes kësaj. Unë mendoj që kur kjo të ndodh, atëherë humbësja më e madhe do të jetë Serbia”, ka shtuar ai.
Konjufca, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, po marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih. Ka thënë se prania e Kosovës në këtë konferencë ka qenë e suksesshme.
Ishte vizita e parë e tij si ministër i Jashtëm i Kosovës, që nga betimi të mërkurën.



