Konjufca: Kosova mbështet lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, dënon sulmet e Iranit

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar pjesëmarrjen e tij në një takim virtual të cilin ai e cilëson takim të nivelit të lartë mbi situatën në Ngushticën e Hormuzit, të organizuar nga Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.

Konjufca shkruan se në takim u theksua se liria e lundrimit nuk mund të vihet në pikëpyetje. Sipas tij, mbrojtja e anijeve civile dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare janë parime të panegociueshme.

Më tej, ministri shton se Republika e Kosovës dënon fuqishëm sulmet e Iranit që i shkelin këto parime.

“Sot, me ftesë të Sekretares së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, mora pjesë në një takim virtual të nivelit të lartë me mbi 40 Ministra të Punëve të Jashtme nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar mbi situatën në Ngushticën e Hormuzit.

Në takim u theksua qartë se liria e lundrimit nuk mund të vihet në pikëpyetje dhe se koridoret ndërkombëtare të tregtisë nuk mund të përdoren si instrument presioni. Mbrojtja e anijeve civile dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare janë parime të panegociueshme. Republika e Kosovës dënon fuqishëm sulmet e Iranit që i shkelin këto parime. Ne qëndrojmë ne linjë me partnerët tanë në thirrjen se Ngushtica e Hormuzit duhet të rihapet sa më shpejt dhe në mënyrë të sigurt.

Ndërprerjet në këto rrugë jetike nuk janë vetëm çështje rajonale, por prekin drejtpërdrejt ekonomitë dhe stabilitetin e shumë vendeve, përfshirë edhe vendin tonë. Ato ndikojnë në zinxhirët globalë të furnizimit, në çmimet e energjisë dhe në sigurinë ekonomike në përgjithësi. Për këtë arsye, veprimi ndërkombëtar është thelbësor për të garantuar stabilitetin dhe funksionimin normal të këtyre korridoreve strategjike.

Kosova mbetet e palëkundur në mbështetje të partnerëve të saj euroatlantikë dhe në Lindjen e Mesme, për mbrojtjen e lirisë së lundrimit dhe sigurisë ndërkombëtare”, shkruan Konjufca.