Kongresi i Manastirit, monument i lartë i kujtesës sonë kombëtare

Nga Prof. dr. Skender ASANI

Ideja për të organizuar “Ditët e Alfabetit”, një manifestim ky me karakter kulturor e
shkencor, lidhet drejtpërdrejt me misionin e Institutit tonë që si frymëzim ka pikërisht
vlerat iluministe, arsimore e kulturore që prodhoi Kongresi i Manastirit, i mbajtur këtu e
116 vite më parë, nga data 14- 22 nëntor 1908. Pikërisht 22 nëntori është zgjedhur
jorastësisht edhe si ditë e themelimit të Institutit tonë para 17 viteve, që njëherësh është
shpallur edhe festë shtetëtore.

Për të kujtuar këtë Kongres që shënonte fundin e një robërie dhe fillimin e një lirie
kombëtare, ne si Institut jemi kujdesur që të risjellim në vëmendjen e brezave të sotëm
jehonën e kësaj ngjarjeje të madhe historike që kishte ndodhur në qytetin e Manastirit, aty
ku u mblodh ajka e mendimtarëve e veprimtarëve shqiptarë të Rilindjes Kombëtare për të
hedhur themelet e një alfabeti që për shqiptarët do të ishte shenja më identidfikuese
evropiane.

Me një alfabet latin e të unifikuar, elita shqiptare e asaj kohe synonte të avancojë vetëdijen
kulturore dhe të përgatiste shtratin e ngjarjeve të mëdha që do të pasonin me Pavarësinë
(1912) dhe me krijimin e infrastrukturës arsimore e kulturore të shtetit shqiptar. Për
rrjedhojë vetëm një vit më vonë u themelua Normalja e Elbasanit, kurse në kolinitë e
mërgatës shqiptare në Egjypt, Sofje, Rumani, Stamboll, Selanik e gjetiu u botuan dhjetëra
revista e libra të shkruara me alfabetin e posaformuar në Manastir.

Një komb nuk është i lirë vetën nëse jeton pa dominimin e të huajve. Një komb është edhe
më i lirë kur kulturën dhe vetëdijen kombëtare e zhvillon në harmoni me vlerat dhe
standardet që atë komb e bëjnë të qytetëruar. Alfabeti i shqipes është reflektim i
qytetërimit perendimor dhe graviteti fushëveprues i këtij alfabeti u zgjerua si në
përgatitjen e dokumenteve të administratës shtetërore, ashtu edhe në publikimet me
karakter, arsimor, shkencor e artistik.

Tani, pas 116 viteve, kur e kujtojmë Kongresin e Alfabetit, kemi arsye ta kuptojmë më mirë
çdo përpjekje që si pikësynim ka zhvillimin e kulturës së shkrimit dhe përhapjen e vlerave
letrare e artsitike. Prandaj, jo rastësisht ne sivjet u orientuam në një temë qendrore, e cila
duke pasur si pikësim pikërisht avansimin dhe zhvillimin e kulturës së shkrimit, kemi
marrë për bazë studimi personalitetin shumdimensional të shkrimtarit Ismail Kadare, një
gjeni ky i letrave shqipe i cili vetëm pak muaj më parë ndërroi jetë në Tiranë, por na la
trashëgim një veprimtari të begatë letrare.

Studiuesit tanë nga Tirana, Prishtina si dhe nga vendi, përfshi edhe kolegët e Institutit tonë,
brenda Ditëve të Alfabetit do të vijnë me qasje interesante dhe të veçanta mbi Ismail
Kadarenë, shikuar në disa aspekte.

Jam shumë kurreshtar të ndjek këto kumtesa dhe bashkë me pjesëmarrësit tjerë të hedhim
një gurë modest, por të rëndëishëm, në studimet kadareane. Me këtë, Instituti ynë do t’i
bashkohet qendrave të tjera albanologjike në Tiranë dhe në Prishtinë, në frymën edhe të
marrëveshjeve që i kemi, që me projekte e ide konkrete të ngrejmë nivelin e studimeve
letrare, gjuhësore e historike. Në kushtet e një bashkëpunimi të shkëkqyer që tani më disa
vite është bërë pjesë e kalendareve tona të përbashkëta, mendoj se edhe figura e
shkrimtrait Ismail Kadare do të vazhdojë të na frymëzojë për ide e projekte të reja, të cilët
do t’i jepnin emrit dhe veprës së tij një dimension edhe më të gjerë të këndvështrimit.

Ashtu siç ishte Kongresi i Alfabetit një ngjarje përbashkuese në mes veti dhe komunkuese
me të tjerët, përfshi fqinjët ballkanas dhe miqtë europianë, janë edhe shkrimtarët e tipit të
Kadaresë që letërsisë shqipe i sollën dinamikë tjetër zhvillimi, por duke ndjekur frymën
dhe porositë e elitës kulturore shqiptare të para 100 viteve, e cila shkronjat e gjuhës shqipe
i bëri tulla për të ngritur monumente të larta të kujtesës sonë kombëtare.