Konfirmohet se një nga viktimat e aksidentit tragjik të tifozëve në Rumani ishte shqiptar, tjetri është i gjallë

Deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, Taulant Balla ka konfirmuar se dy shqiptarë ishin pjesë e aksidentit tragjik në Rumani, ku shtatë tifozë të PAOK-ut ndërruan jetë.

Gjatë rrugëtimit të tyre me një minibus për në Francë nga Greqia, dhjetë persona u aksidentuan në Rumani me një kamion, me shtatë persona që ndërruan jetë, teksa tret ë tjerë ishin në gjendje të rëndë shëndetësore.

Mediumet shqiptare raportuan më parë se edhe dy shqiptarë ishin pjesë e këtij aksidenti tragjik, teksa nuk dihej se a ishin gjallë apo kishin ndërruar jetë.

Megjithatë, deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, Taulant Balla, në një postim në “Facebook” ka konfirmuar identitetin e dy shqiptarëve që ishin pjesë e aksidentit, teksa bën me dije se njëri ka vdekur e tjetri është gjallë.

Lajm shumë i hidhur për ne të gjithë tifozët e futbollit, aksidenti i rëndë rrugor ku kanë humbur jetën shtatë tifozë të ekipit PAOK FC / ΠΑΕ ΠΑΟΚ në udhëtim drejt Lion për të ndjekur ekipin. Ndërsa presim me ankth identifikimin e të gjithë viktimave, duke qenë në kontakt me ambasadat tona në Rumani dhe Athinë për bashkëkombas shqiptarë të përfshirë, i shpreh ngushëllimet familjeve të viktimave dhe familjes së madhe të PAOK”, shkruajti ai fillimisht.

Më pas, ai lëshoi edhe një koment në postimin e tij, duke konfirmuar se një nga viktimat është shqiptar.

“Në vijim të komunikimit me Ambasadën tonë në Athinë njoftohemi se një nga viktimat është Vasil Palo, shtetas shqiptar nga Korca. Ndërsa udhëtari tjetër Genci Sadiku është gjallë”, shkruan ai.

Tifozët e PAOK-ut ishin nisur nga Greqia për në Francë, për të përcjellur nga afër ndeshjen e Ligës së Evropës mes Lyonit dhe PAOK-ut./GazetaExpress/