KON-i: Lojërat olimpike shkojnë përtej politikës

Në reagim ndaj “bojkotit diplomatik” nga ShBA-ja të Lojërave Olimpike dhe Paralimpike Dimërore të Pekinit 2022, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) ka ritheksuar që lojërat olimpike dhe pjesëmarrja e sportistëve shkojnë përtej politikës.

“Prania e zyrtarëve qeveritarë dhe e diplomatëve është një vendim krejtësisht politik për çdo qeveri, të cilin KON-i me asnjanësinë e vet politike e respekton plotësisht. Njëkohësisht, ky njoftim e bën të qartë se Lojërat Olimpike dhe pjesëmarrja e sportistëve shkojnë përtej politikës dhe ne e mirëpresim këtë”, tha KON-i në një deklaratë të hënën.

Juan Antonio Samaranch, kreu i komisionit koordinues të KON-it për Lojërat Olimpike të Pekinit, tha në një konferencë virtuale për shtypin se “ne kërkojmë gjithmonë sa më shumë respekt dhe ndërhyrje sa më të vogël nga bota politike”.

“Ne jemi jashtëzakonisht krenarë, të lumtur dhe plot shpresë që të gjithë sportistët e botës do të jetojnë në paqe për 59 ditë në Pekin,” tha ai.