Shkruan: Fitim NUHIU
Komuniteti rom është një nga grupet etnike më të vjetra dhe më të shpërndara në Evropë, përfshirë edhe në Ballkan. Romët besohet se kanë origjinën nga India Veriore rreth një mijë vjet më parë. Ata u shpërngulën drejt Evropës përmes Lindjes së Mesme dhe u vendosën në vende të ndryshme, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, dhe më gjerë. Ky komunitet dallohet me muzikën e vet, muzikën rome që ka ndikuar në shumë zhanre evropiane (p.sh. flamenco në Spanjë, muzika ballkanike, etj.). Gjuha e tyre quhet romani, e cila ka dialekte të ndryshme dhe është e lidhur me gjuhët indo-ariane. Festimet dhe ritualet shpesh përfshijnë ngjyra të forta, veshje tradicionale dhe muzikë plot energji.
Gjatë historisë, kanë përjetuar diskriminim, margjinalizim dhe stereotipe negative, por edhe kanë ruajtur një trashëgimi të pasur kulturore. Komuniteti rom edhe sot që po flasim përballet ende me diskriminim social, vështirësi ekonomike dhe qasje të kufizuar në arsim dhe shëndetësi.
Organizatat ndërkombëtare dhe shtetet përkatëse përpiqen të punojnë në vazhdimësi për integrimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre, mirëpo se sa ia arrijnë, lënë shumë për të dëshiruar.
Romët në Republikën e Maqedonisë së Veriut
Prania e romëve në territoret e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë territorin e Maqedonisë së Veriut, është regjistruar në shekujt XIII dhe XIV, kryesisht të vendosur gjatë kohës së mbretit serb Stefan Deçanski (1285 – 1331).
Shumica e romëve u vendosën në këto zona gjatë Perandorisë Osmane dhe shumica e tyre merreshin me farkëtari, tregti dhe muzikë. Pikërisht për këtë, shumica e romëve në vendin tonë janë popull sedentar dhe i përkasin grupit etnografik Arlii, pra romëve vendas.
Komuniteti rom aktualisht përballet në mënyrë sistematike me diskriminim, margjinalizim dhe paragjykime negative, vështirësi ekonomike dhe qasje të kufizuar në arsimin bazik dhe shëndetësi. Politikanët dhe institucionet e vendit interesohen për këtë komunitet zakonisht vetëm në Ditën e tyre Ndërkombëtare – 8 Prillin, sa për simbolikë, protokoll dhe për fotografi.
Dita Ndërkombëtare e romëve – 8 Prill
8 Prilli është dita më domethënëse për romët në historinë moderne të këtij komuniteti. Kjo ditë është shpallur Dita Ndërkombëtare e Romëve dhe festohet me rastin e mbajtjes së Kongresit të Parë Botëror të Romëve në vitin 1971 në Londër. Për komunitetin rom, 8 Prilli është domethënës sepse atëherë filloi organizimi politik i romëve në nivel botëror të pasluftës, dita kur u hodhën themelet e luftës së unifikuar kundër padrejtësisë, sidomos pas krimeve të Luftës së Dytë Botërore dhe ditës kur u hodhën themelet e historisë, gjuhës dhe kulturës bashkëkohore rome. Në Kongres u morën vendime të rëndësishme që konfirmojnë identitetin rom dhe që përfaqësojnë themelin e romëve (Romanipe) në të gjithë botën. Vendimi i parë i referohej emërtimit të komunitetit si pasojë e interpretimeve të ndryshme të romëve në literaturën e përgjithshme, si dhe në komunikimin e përditshëm. Pra, emri i përbashkët i këtij populli duhet të jetë Romë, d.m.th. Rom, që në përkthim të mirëfilltë në gjuhën rome do të thotë njerëz.
Nuk ka të dhëna zyrtare statistikore për popullsinë rome në Evropë, mirëpo besohet se romët përfaqësojnë pakicën më të madhe evropiane me rreth 12 deri në 15 milionë banorë.
Burimi: sipas tekstit të magjistër Daniell Petrovskit, Prill 2024, financuar nga BE.
Komuniteti rom përballë standardeve të shtetit, kundër sistemit “Safe City”!
Me hyrjen në fuqi të sistemit “Safe City” u shpërfaqën shumë të meta dhe probleme sociale që kanë ekzistuar dekada të tëra dhe shteti i ka mbyllur sytë. Reagime të shumta qytetare nxorën në pah shumë të vërteta që shteti i ka mënjanuar, i ka shpërfillur me apo pa vetëdije dhe tani i dalin probleme serioze të shtrira në masa të mëdha sociale, komunitete të tëra që vështirë është që t’i inkorporosh brenda sistemin dhe gjirin institucional brenda një afati të shkurtër kohor. Pra fjala është për komunitetin rom, komunitet i cili është lënë anash në vazhdimësi nga politika qëkur është krijuar shteti i Maqedonisë, tashmë i Veriut.
Shqetësuese ishin rastet e para ca ditëve, kur qytetarë nga komuniteti rom protestuan duke bllokuar rrugë në qytetet: Kërçovë, Strumicë, Shtip, Koçan, Shutkë, por edhe në rrugën magjistrale Manastir-Prespë. Ata kërkonin nga shteti që t’i lejojnë që të vozisin pa patentë shoferi mjetet e tyre, duke u arsyetuar që tashmë s’mund të aplikojnë që të marrin patentën përshkak të mos pasjes së arsimimit bazik dhe se kërkonin nga organet kompetente që të lejohen të vozisin pa patentë, pa regjistrimin e mjeteve që të nxjerrin bukën e gojës që të bartin me mjetet e tyre hekurishtet, drurët apo gjësendet që të transportojnë të arrijnë deri te dinari e te idarja.
I menjëhershëm dhe i ashpër ishte reagimi i kryeministrit, z. Mickoski kur deklaroi se kërkoj nga Ministria e Punëve të Brendshme që të përgjigjet ashpër ndaj çdo rrezikimi të rendit dhe sigurisë publike.
Rastet e tilla janë shqetësuese, përshkak të nivelit të kërkesave që qytetarë nga ky komunitet deklaronin, që më pas dilnin në rrjetet sociale i demantonin po ato kërkesa, të penduar, se çfarë kanë pohuar një ditë më parë. Shtrohet pyetja se përse shteti ka lejuar që të ketë nivel të tillë qytetar e social në masë kaq të madhe? Përse ata qytetarë të këtij shteti të mos të jenë të regjistruar askund në regjistra civilë, të mos jenë të përfshirë në institucione, pse i gjithë ky informalitet te ky komunitet, etj. Kjo barrë është e shtetit dhe dëshmon se ka dështuar në metodat inkluzive sociale të grupeve etnike brenda shtetit multietnik.
Nisma dhe konferenca ka pasur ndërkohë edhe nga qeveritë e kaluara, mirëpo ato kanë mbetur vetëm në letër. Në Prill të vitit 2023, në Planin Strategjik të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, për 2022-2025 janë përcaktuar prioritetet strategjike, duke përfshirë prioritetin e përmirësimit të infrastrukturës rezidenciale dhe asaj komunale të romëve në vendin tonë. Zëvendës-ministri i Transportit dhe Lidhjeve i asaj kohe, Bekim Rexhepi, mori pjesë në këtë konferencë me temë “Strategjia për romët, progresi dhe hapat e ardhshëm”, organizuar nga Kabineti i Presidentit Pendarovski dhe ndër të tjerash thoshte se vendi ynë mund të mburret me synimet e saj për integrimin e romëve në vend. “Republika e Maqedonisë së Veriut gjithmonë mund të mburret me synimet e saja të sinqerta për integrimin e romëve. Kjo dëshmohet edhe nga përmendja e romëve në Kushtetutë, strategjitë dhe planet e veprimit dhe ndarja e burimeve financiare për romët”.
Edhe në ditët e sotme, kryeministri i vendit deklarativisht shpreh mbështetje për komunitetin rom duke u fokusuar në promovimin e romëve si qytetarë të barabartë dhe pjesë të pandashme të shoqërisë, barazisë në arsim, të mundësive për punë si çelës për përfshirje sociale. Mirëpo deri më tani ka mbetur vetëm në fushën e deklaratave politike dhe promovimit të ideve për përfshirjen e komuniteteve etnike, gjersa në terren nuk shohim masa konkrete të matshme të miratuara ose zbatim të programeve specifike për komunitetin rom. Duhet të ketë diçka konkrete, zbatim praktik të politikave për dokumentacion civil, njohje të pronës, ose ndihmë juridike për romët që zakonisht mbështetet vetëm nga programe ndërkombëtare (BE dhe Këshilli i Evropës) në koordinim me ministritë, por jo domosdoshmërisht nisma direkte vetëm nga qeveria.
Vlen theksuar se në vitin 2005, filloi nisma për projektin e ashtuquajtur “Dekada e Përfshirjes së Romëve” (Deshbersh le Romengo Anderyaripnasko në gjuhën rome). Ishte një nismë e 12 vendeve evropiane për të përmirësuar statusin socio-ekonomik dhe përfshirjen sociale të popullit rome në të gjithë rajonin. Me këtë projekt që zgjati nga viti 2005 deri në 2015 ishte projekti i parë shumëkombësh në Evropë që përmirësonte në mënyrë aktive jetën e romëve. Vendet që morën pjesë në projekt ishin: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Hungaria, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovakia dhe Spanja. Të gjitha këto vende kanë minoritete të konsiderueshme rome, të cilat kanë qenë mjaft të pafavorizuara, si ekonomikisht ashtu edhe socialisht. Sllovenia dhe Shtetet e Bashkuara ishin në statusin e vëzhguesit. Qeveritë e vendeve të mësipërme janë zotuar të mbyllin hendekun në mirëqenien dhe kushtet e jetesës midis popullatës Rome dhe Jo-Rome, si dhe t’i japin fund ciklit të varfërisë dhe përjashtimit në të cilin gjenden shumë romë. Secili prej këtyre vendeve ka zhvilluar një plan veprimi që specifikon qëllimet dhe treguesit në fushat prioritare të projektit: arsimi, punësimi, shëndetësia dhe strehimi, sigurisht të gjitha këto të financuara nga organizmat e faktorit ndërkombëtar, dhe akoma edhe sot nuk ka një rezultat në terren se çfarë është arritur me këtë projekt.
Sidoqoftë, shteti tashmë ka arrit në këtë pikë vlimi e përplasje, kjo u shpërfaq pikërisht kur ndërmori një nismë të mbarë në parim, për sigurinë e qytetarëve të vet (Safe City) dhe tani përpara saj sheh veten në pasqyrë, veten se çfarë ka bërë tash e sa dekada nga themelimi i shtetit të vet, që në të kaluarën ka hapur hendeqe të mëdha sociale etnike, ka anashkaluar dhe segreguar komunitete të caktuara, ka ndarë qytetarët e vet në gjithpërfshirje sociale dhe se kjo gjë sot kërkon ndërhyrje urgjente institucionale me politika konkrete adaptive për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga cili komunitet vijnë, që të krijojë kushte të barabarta dhe jetë dinjitoze për të gjithë.



