Lidhur me deklaratat publike të z. Bajram Rexhepi në lidhje me ndërtimin e objektit arsimor në fshatin Sellcë
Komuna e Tetovës, në funksion të transparencës institucionale dhe për informimin e drejtë të opinionit publik, reagon ndaj deklaratës së z. Bajram Rexhepi lidhur me objektin shkollor që është aktualisht në përfundim të fazës së parë të ndërtimit në fshatin Sellcë.
Informojmë qytetarët se Leja e Ndërtimit me nr. 10-176/23, e datës 26.05.2023, është lëshuar nga Kryetari aktual i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami. Punimet ndërtimore kanë filluar vetëm pas dhënies së kësaj leje dhe zhvillohen konform të gjitha standardeve dhe dispozitave ligjore në fuqi.
Deklaratat e fundit që tentojnë të vendosin hije mbi këtë proces përbëjnë përpjekje të pasuksesshme për të relativizuar kontributin real të Komunës së Tetovës dhe të Kryetarit Kasami në avancimin e infrastrukturës arsimore në komunë.
Nëse me të vërtetë z. Bajram Rexhepi dhe përfaqësuesit e mëhershëm nga radhët e BDI-së në Ministrinë e Arsimit do të kishin qenë të interesuar për realizimin e këtij objekti, atëherë nuk do të kishte munguar vullneti institucional për të përmbyllur procedurat që nga viti 2016 e deri në vitin 2023. Kujtojmë se gjatë kësaj periudhe, Komuna e Tetovës është udhëhequr për dy mandate të plota (2013–2021) nga znj. Teuta Arifi, dhe asokohe nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për dhënien e lejes ndërtimore, ndonëse mundësia ekzistonte.
Për më tepër, tentativa e parë për ndërtimin e objektit rezultoi e pasuksesshme për shkak të përzgjedhjes së një lokacioni jo të përshtatshëm ndërtimor, me pasoja të drejtpërdrejta në keqpërdorimin e mjeteve publike, çka është dokumentuar edhe zyrtarisht.
Sot, Komuna e Tetovës, përmes përkushtimit të Kryetarit Kasami dhe bashkëpunimit me institucionet përkatëse, po arrin të përmbushë një nevojë të kahmotshme të banorëve të Sellcës. Kompania që është kontraktuar për ndërtimin e këtij objekti ka detyrime të papaguara nga ana e ish-ministrit të Arsimit, z. Jeton Shaqiri, dhe nga Qeveria paraprake LSDM-BDI, çka dëshmon edhe një herë mungesën e angazhimit real për përfundimin e këtij projekti në të kaluarën.
Qeveria aktuale, përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ka garantuar mbështetjen e saj për përfundimin e fazës së parë të ndërtimit. Po ashtu, janë planifikuar mjetet e nevojshme në buxhetin e vitit 2026 për realizimin e fazës së dytë, me qëllim që objekti i ri shkollor të jetë funksional që në fillim të vitit të ardhshëm shkollor dhe nxënësit e Sellcës të mësojnë në kushte të denja dhe moderne.
Në vend të akuzave të pabaza dhe tentativave për të dezinformuar publikun, ftojmë të gjithë akterët politikë dhe institucionalë që të kontribuojnë pozitivisht në avancimin e arsimit dhe të mbështesin punët konkrete që i shërbejnë qytetarëve.
Realizimi i projekteve të mëdha kërkon përkushtim, profesionalizëm dhe vullnet të sinqertë për t’i shërbyer të mirës së përbashkët. Populli i Tetovës e njeh të kaluarën dhe e vlerëson punën e vërtetë – jo fjalët boshe.