Komuna e Tearcë ka bërë thirrje publike drejtuar qytetarëve dhe bizneseve që të shlyejnë detyrimet e tyre tatimore, në kuadër të një iniciative për rritjen e nivelit të pagesave.
Në njoftimin zyrtar thuhet se kjo iniciativë përfshin të gjithë qytetarët, subjektet afariste, si dhe personat fizikë dhe juridikë që operojnë në territorin e komunës. Qëllimi, sipas autoriteteve lokale, është sigurimi i funksionimit normal dhe përmirësimi i shërbimeve publike për banorët.
Nga Komuna e Tearcës apelojnë që obligimet të paguhen brenda afateve të parapara, duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë fiskale.
Në të njëjtën kohë, autoritetet paralajmërojnë se në rast të mosrespektimit të këtij obligimi, do të ndërmerren masa ligjore, përfshirë edhe bllokimin e transaksioneve bankare, si dhe veprime të tjera në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Komuna bën të ditur se mbetet e hapur për informata shtesë për të gjithë qytetarët që kanë nevojë për sqarime lidhur me detyrimet e tyre.






