Komuna e Strugës nuk do të shohë asnjë qindarkë nga vetura luksoze AUDI A6 e blerë nga ish-kreu i Komunës Ramiz Merko

Premtimi i kreut të Strugës Mendi Qyra, se vetura luksoze Audi A6 do të shitet dhe se me ato mjete do të blihej një mjet tjetër transportues për nevojat e administratës dhe klubeve sportive, definitivisht nuk do të realizohet. Shitja, e cila është caktuar për më 28 maj, do të realizohet përmes ankandit publik, por në vend të komunës, kjo do të bëhet përmes përmbaruesit të autorizuar, i cili në fillim të marsit e konfiskoi veturën për shkak të borxheve të papaguara që Komuna e Strugës ka ndaj disa kreditorëve. Përmbaruesi Dejan Kostovski për Alsat thotë se ka subjekte potenciale të interesuara për shitjen e caktuar.

“Komuna e Strugës nuk mund të marrë pjesë në ankandin publik, pasi kjo është e ndaluar me Ligjin për Përmbarim, por mund ta pengojë shitjen, dhe kjo do të ndodhte nëse do t’i shlyente kërkesat e të gjithë kreditorëve që janë të përfshirë në të njëjtën procedurë. Debitori ka të drejtë në çdo kohë, e më së voni deri në fillimin e ankandit publik, ta shlyejë borxhin ndaj kreditorëve. Kërkesat e përgjithshme të kreditorëve janë rreth 11 milionë denarë”, deklaroi Dejan Kostovski – përmbarues.

• Komuna nuk mund të marrë pjesë në ankand
• Ndalesë për shitje, nëse shlyhet borxhi

Paratë nga shitja do të shkojnë te përmbaruesi, e më pas ato do të përdoren për shlyerjen e borxhit. Vlerësuesi i autorizuar i angazhuar në procedurën e përmbarimit e ka vlerësuar automjetin Audi A6 në 21.864 euro. Komuna kishte më shumë se dy muaj kohë për ta shlyer borxhin dhe për ta kthyer automjetin në pronësi të saj. Nga atje nuk iu përgjigjën pyetjes së Alsat-it nëse brenda 10 ditëve do të arrijnë ta paguajnë borxhin, i cili daton që nga viti 2016.

“Komuna e Strugës nuk do të marrë pjesë në ankandin për këtë automjet, pasi politika e kësaj administrate është e qartë: zvogëlimi i parkut të automjeteve dhe reduktimi i shpenzimeve për mirëmbajtjen dhe përdorimin e tij. Të gjitha vendimet dhe masat e ndërmarra nga kryetari e kanë një qëllim të vetëm: uljen e shpenzimeve të panevojshme dhe stabilizimin e gjendjes financiare të komunës”, thanë nga Komuna e Strugës.

• Komuna nuk do të marrë pjesë në ankand
• Duam reduktimin e shpenzimeve

Alsat mëson se tre kreditorë janë të interesuar të bëhen pronarë të Audi A6. Për blerjen e tij, pushteti i mëparshëm lokal shpenzoi 67.000 euro, ndërsa për këtë automjet u zhvillua edhe një proces gjyqësor, në të cilin ishte i akuzuar ish-kryetari i Strugës, Ramiz Merko, por më pas ai mori aktgjykim lirues./Alsat.mk.