Komuna e Prishtinës rrit tarifat e taksive në kryeqytet – starti bëhet 2 euro

Tarifa startuese e taksive në Prishtinë, nga 1.50 është bërë 2 euro.

Kështu ka vendosur Komuna e Prishtinës, në mbledhjen e fundit.

Sipas dokumentit, është miratuar ndryshimi dhe plotësimi i i vendimit 01. Nr.344-40495, e datës 27.03.2013, për caktimin e çmimores për transportin publik të udhëtareve me ato-taxi, në Komunën e Prishtinës.

Në dokumentin zyrtar të nënshkruar nga kryetari Përparim Rama, bëhet e ditur se vendimi është marrë të premten që shkoi, më 11 mars.

Ndërkaq, duhet theksuar se produktet e naftës janë duke u shtrenjtuar vazhdimisht qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.

Autoritetet qeveritare në Kosovë, deri më tash, kanë vendosur marzhë tregtare – që do të thotë çmim maksimal – për derivatet e naftës dhe kanë hequr akcizën e karburanteve për fermerët.

Së fundi çmimi për një litër naftë në Kosovë ka shkuar deri 1.80 cent për litër.

Kosova, si shumë vende të tjera të botës, është përballur me rritje çmimesh edhe para shpërthimit të luftës në Ukrainë.

Kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni në janar të këtij viti ka arritur në 7.1 për qind, krahasuar me 0.2 për qind sa ka qenë në janar të 2021-shit. /Telegrafi/