Komuna e Prishtinës: Ende s’janë alokuar mjetet nga Ministria e Financave

Shkëmb Manaj, nënkryetar i Komunës së Prishtinës, ka thënë të martën në mëngjes se ende nuk janë alokuar 28 milionë eurot nga Ministria e Financave, si të hyra vetanake të komunës për të cilat u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme të enjten.

“Jo ende nuk është realizuar procesi i alokimit të mjeteve financiare nga Ministria e Financave tek Komuna e Prishtinës! Jemi në pritje të alokimit të buxhetit!” ka thënë Manaj për KOHËN.

Një ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje në kryeqytet u shpreh se MF-ja e ka kryer transferin.

Të enjten e 27 nëntorit përmes një mbledhjeje të jashtëzakonshme u është hapur rrugë bartjes së mjeteve vetanake nga viti 2024 në vitin 2025 që kapin vlerën e 28 milionë eurove.

Për votuan 38 asamblistë e një abstenoi.

Për të njëjtat mjete, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në mbledhje tha se pret që po atë ditë Ministria e Financave t’i bartë mjetet.

Kjo do t’i hapë rrugës pagesave të faturave të pashlyera të Komunës së Prishtinës dhe fundit të grevës nga Trafiku Urban. Transportuesit publikë kanë protestuar tash e sa ditë shkaku i borxheve nga komuna. E komuna fajësonte Ministrinë e Financave për bllokim.