Komuna e Likovës i ndërron fjalët: Nuk do ndërtohet lapidar për UÇK-në në Sllupçan!

Komuna e Likovës ka dalë me dy qëndrime të ndryshme për të njëjtën çështje-Ndërtimin e Lapidarit te varrezat e dëshmorëve në Sllupçan.
Këshilli i komunës para tre ditëve është lavdëruar se me iniciativë të kryetarit Erkan Arifi, vendimi për ndërtimin e Lapidarit në varrezat e dëshmorëve në Sllupçan ka marë dritë të gjelbër.
Mirëpo në një deklaratë për mediat në gjuhën maqedonase, Komuna ka mohuar se do të ndërtohet lapidar.
“Nuk bëhet fjalë për përmendore për luftëtarët e rënë në vitin 2001. do të jetë objekt që do t’i shënojë të gjitha ngjarjet historike nga Lufta e dytë botërore deri në vitin 2020. Ndërtimi i Kullës përkujtimore sigurisht që nuk do të fillojë sivjet, sepse në buxhetin komunal nuk janë paraparë mjete. Me siguri do të fillojmë vitin e ardhshëm”, ka thënë Arifi për portalin në gjuhën maqedonase, PlusInfo. Ai ka shtuar se ndërtimi i saj nuk do të bëhet pa leje nga Ministria e transportit.