Komuna e Kumanovës dhe e Likovës, më mirë ndaras apo bashkë?!

Shkruan: Valon Elezi 

Ndarja territoriale, përcaktimi i njësive zgjedhore në nivel republikan, formimi i komunave të reja, bashkimi apo ndarja e tyre, çdo herë kanë shkaktuar çarje të tilla të cilat, shikuar në aspektin numerik, kanë favorizuar dhe dobësuar nga ana tjetër, një grup etnik, apo një parti të caktuar politike.

A do të ndryshonte diçka nëse Komuna e Likovës do të ishte jo e ndarë, por pjesë e Komunës së Kumanovës? A do të ishte zëri i përfaqësuesve politik shqiptarë në Këshillin Komunal të Komunës së Kumanovës më i fuqishëm apo më mirë është që Komuna e Likovës të funksionojë e ndarë? Këto janë pyetje që kanë shumë përgjigje dhe mund të hapin shtigje të shumta diskutimesh e debatesh, por do të ndalem te çështja e numrave për ta dhënë një pasqyrë se si ndryshon konstelacioni i numrave nëse fshatrat e Komunës së Likovës do të ishin bashkë të përfshira në Komunën e Kumanovës, pa e përfshirë Nagoriçin e Vjetër!

Për parametra do të marrim numrat e zgjedhjeve lokale të fundit, në vitin 2017 dhe gjendjen e atëhershme të trupit votues.

Në garat për kryetar Komune, kishim këto rezultate:

Kumanovë

LSDM – 26.289 ose 52,53%
VMRO – 14.839 ose 29,65%
BESA – 2.925 ose 5,84%
ASH – 2.950 ose 5,89%
PDSH – 524 ose 1,05%

Gjithsej: 47.527

Dalja: 50.050 ose 53,95%
Të pavlefshme: 2523 ose 5,04%
Nga 92.764 votues

Likovë:

BDI – 5618 ose 49,03%
BESA – 2607 ose 22, 75%
ASH – 1901 ose 16,59%
PDSH – 939 ose 8,20 %
LSDM – 152 ose 1,33%

Gjithsej: 11.217

Dalja: 11.425 ose 45,64%
Të pavlefshme: 241 ose 2,1%
Nga 25.105 votues

Nëse do t’i kishim bashkuar dy trupat votues në një, Kumanovë dhe Likovë, atëherë do të kishim këto numra:

Votues: 117.869
Dalja: 61.508 ose 52,18%
Të pavlefshme: 2764 ose 4,49%

Nëse do t’i bashkonim votat e të gjitha subjekteve, sikur të gjitha të kishin kandidatë për kryetarë komunash, atëherë do të vinim në këto numra:

LSDM – 26.441 vota ose 42,98%
VMRO – 14.839 vota ose 24,12%
BDI – 5618 vota ose 9,13%
BESA – 5532 vota ose 8,99%
ASH – 4851 vota ose 7,88%
PDSH – 1463 vota ose 2,37%

Epilogu: LSDM nuk do të mund të fitonte me kandidatin e saj në rrethin e parë, por do të ishte në bilancin e 42,98% të votave. Këtu duhet të kemi parasysh që në vitin 2017, BDI nuk ka nxjerrur kandidat për kryetar, gjë që, po të kishte të njëjtin, vota për LSDM-në do të ulej edhe më shumë, dhe vota shqiptare do të ishte edhe më e madhe! Si përfundim, maqedonasit nuk do ta kishin luksin për të nxjerrur fitues kandidatin e tyre qysh në rrethin e parë! Madje edhe nëse Komunës së Kumanovës i bashkohet edhe Nagoriçi i Vjetër.

(Pjesa e dytë e analizës në lidhje me përbërjen e Këshillit Komunal nëse Komuna e Kumanovës në vete do të përfshinte edhe fshatrat e Komunës së Likovës)

Në garat për listat e këshilltarëve të partive politike, në zgjedhjet lokale të vitit 2017 kishim këto rezultate:

Kumanovë

LSDM – 21.760 ose 43,48%
VMRO – 14.752 ose 29,47%
BDI – 3.894 ose 7,78%
BESA – 2.848 ose 5,69%
ASH – 2.460 ose 4,92%
PDSH – 369 ose 0,74%
AA – 499 ose 1%
Levica – 1.244 ose 2,49%

Gjithsej: 47.826

Dalja: 50.050 ose 53,95%
Të pavlefshme: 2.224 ose 4,44%
Nga 92.764 votues

Likovë:

BDI – 4.822 ose 42,08%
BESA – 2.380 ose 20,77%
ASH – 1.990 ose 17,37%
PDSH – 1.118 ose 9,76 %
PPD – 610 ose 5,23%
LSDM – 193 ose 1,68%

Gjithsej: 11.113

Dalja: 11.458 ose 45,64%
Të pavlefshme: 345 ose 3,01%
Nga 25.105 votues

Nëse do t’i bashkonim votat e të gjitha subjekteve dhe votat e tyre për Këshillin Komunal edhe në Kumanovë edhe në Likovë, atëherë do të kishim këto numra:

LSDM – 21.953 vota ose 35,69%
VMRO – 14.752 vota ose 23,98%
BDI – 8.716 vota ose 14,17%
BESA – 5.228 vota ose 8,49%
ASH – 4.450 vota ose 7,23%
PDSH – 1.487 vota ose 2,41%
PPD – 610 vota ose 0,99%
AA – 499 vota ose 0,81%
Levica – 1.244 vota ose 2,02%

Dalja: 61.508 ose 52,18%
Të pavlefshme: 2569 ose 4,17%
Nga 117.869 votues

Në këtë rast, përberja e Këshillit Komunal prej 33 këshilltarësh do të ishte në 35 këshilltarë, ndërsa me numrat e përbashkët do të kishim këto numra këshilltarësh ku në kllapa do të shënojmë numrin e këshilltarëve aktual:

LSDM – 14 këshilltarë (16);
VMRO – 9 këshilltarë (11);
BDI – 5 këshilltarë (3);
BESA – 3 këshilltarë (2);
ASH – 3 këshilltarë (1);
PDSH – 1 këshilltar (0);
PPD – 0 këshilltarë (0);
AA – 0 këshilltarë (0);
Levica – 0 këshilltarë (0);

Epilogu: LSDM-së do t’i pakësohen dy këshilltarë, VMRO-së dy këshilltarë, ndërsa BDI-së dhe ASH-së do ti shtohen nga dy këshilltarë, Besës një këshilltar dhe PDSH do të arrinte numrat për një këshilltar e që nënkuptojmë se partitë politike maqedonase do të merrnin katër këshilltarë më pak (-4), ndërsa partitë politike shqiptare gjashtë këshilltarë më shumë (+6). Këtu nuk duhet të harrojmë se opcionet politike AA dhe PPD e që tani nuk janë në skenën politike të partive politike shqiptare si garues, ishin vetëm manevra të ndarjes së votës dhe pa të njëjtat, në maksimum tre opcione politike shqiptare do ta bënin numrin më të fuqishëm dhe mundësinë për të dërguar edhe më shumë këshilltarë, e sidomos tani kur është ende gjallë koalicioni opozitar mes Alternativës dhe Aleancës për Shqiptarët. Nuk duhet harruar që një numër votash shqiptare kanë shkuar edhe për LSDM-në, por që kthimi i këtyre votuesve në opcionet e listave dhe opcioneve politike shqiptare e fuqizon edhe më tepër votën, rrjedhimisht edhe përfaqësimin! Mbetet në fund të parashtrojmë pyetjen, se a do të ishte më mirë Komuna e Kumanovës të përfshijë edhe fshatrat e Komunës së Likovës, apo Komuna e Likovës të ishte komunë në vete? Secili le të përgjigjet në bazë të argumenteve të tij që posedon! Por argumentet e numrave thonë që përfaqësimi numerik i shqiptarëve në një Komunë të bashkuar do të ishte më i madh dhe më i fuqishëm!

*Këshilltarët komunal që figurojnë si këshilltarë të partisë politike BESA në Këshillin Komunal të Komunës së Kumanovës, janë të partisë politike Alternativa;
*PPD dhe AA janë opcione politike që nuk garojnë në këto zgjedhje dhe thuajse joekzistente;