Komuna e Gostivarit shpreh keqardhje për problemet me ujin në Debresh: Kemi nisur zgjidhjen e problemit

Komuna e Gostivarit ka njoftuar se kanë nisur punimet për ndërtimin e një linje të re të ujësjellësit, me qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në fshatin Debresh. Sipas komunës, bëhet fjalë për një problem që ka vazhduar për dekada, ndërsa autoritetet lokale thonë se po ndërmarrin hapa konkretë për zgjidhjen e tij.

Njoftimi i plotë i Komunës së Gostivarit:

Komuna e Gostivarit shpreh keqardhje për vështirësitë në furnizimin me ujë në një pjesë të fshatit Debresh, problem ky që vazhdon për dekada.

Gjatë këtij viti, banorët dhe përfaqësuesit e shoqatave lokale kanë zhvilluar tre takime me kryetarin e Komunës së Gostivarit dhe me ekspertët e Ndërmarrjes Komunale, ku janë shqyrtuar dhe dakordësuar zgjidhje konkrete për tejkalimin e problemit.

Në këtë drejtim, kanë filluar punimet për ndërtimin e një linje të re të ujësjellësit, e cila do të mundësojë rritje të ndjeshme të kapacitetit të ujit të pijshëm. Ky investim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e furnizimit edhe për banorët e fshatit Debresh. Punimet pritet të përfundojnë brenda një muaji, ndërsa më pas pritet të sigurohet furnizim më i qëndrueshëm dhe më cilësor me ujë të pijshëm.

Njëkohësisht, është marrë vendim edhe për përmirësimin dhe sanimin e burimit të ujit mbi fshatin Debresh, një ndërhyrje e rëndësishme që pritet të ndikojë dukshëm në rritjen e kapaciteteve dhe në përmirësimin e përgjithshëm të furnizimit me ujë.

Komuna e Gostivarit thekson se ka treguar vullnet dhe përkushtim për zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar, duke u bërë thirrje banorëve për mirëkuptim dhe durim deri në përfundimin e punimeve.

Sipas komunës, mbetet prioritet sigurimi i zgjidhjeve afatgjata dhe të qëndrueshme për furnizimin me ujë të të gjithë banorëve.