Shkruan: Florian NESIMI
Disa analiza të fundit ekonomike që kanë të bëjnë me fitimet e kompanive private në Maqedoninë e Veriut tregojnë se në vendin tonë biznesmenët dhe punëdhënësit po thyejnë rekorde me fitimet e tyre. Supermarketet ku blejmë çdo ditë, kompanitë e energjetikës, si dhe firmat e ndryshme tregtare realizojnë fitime që rriten deri në 50% brenda një viti. Ajo që duket e paimagjinueshme por që është e vërtetë, është se kompanitë private në Maqedoninë e Veriut fitojnë mbi mesataren e asaj që fitojnë kompanitë në Evropë. E nga ana tjetër pagat e punëtorëve tek ne janë drastikisht nën mesataren evropiane.
Pyetja që parashtrohet është shumë e thjeshtë: Si ka mundësi që kompanitë fitojnë miliona, ndërsa kur bëhet fjalë për rritjen e pagave të punëtorëve, gjithmonë thuhet se tani nuk është koha?
Në vendet e Evropës, kur një kompani fiton shumë, pjesa më e madhe e asaj që fitohet shkon për rritjen e pagave. Atje llogaritet se rreth 60% e fitimit që krijon kompania duhet të shkojë te punëtorët. Te ne ndodh e kundërta. Mbi gjysma e parave që qarkullojnë shkojnë direkt në xhepat e pronarëve, ndërsa punëtorit i lihen vetëm thërrimet. Kjo do të thotë se ne kemi çmime evropiane nëpër raftet e supermarketeve ndërsa nëpër xhepa kemi mbetur me paga minimale.
Sipas shifrave zyrtare, 160 mijë punëtorë në Maqedoninë e Veriut marrin më pak se 31 mijë denarë në muaj, pra nën pragun e varfërisë. Dhe 31 mijë denarë me këto çmime të larta nuk është pagë në kuptimin e plotë të fjalës por vetëm për të siguruar mbijetesën. Me pagën minimale që nga muaji mars është 26 mijë denarë, nuk mund të mbulosh as gjysmën e harxhimeve të shtëpisë, kur dihet se një familjeje i duhen mbi 65 mijë denarë vetëm për gjërat bazë: ushqim, rrymë dhe fatura.
Dhe kur dëgjojmë biznesmenët dhe punëdhënësit që thonë se nuk mund të rrisim rrogën minimale në 600 euro se do të falimentojmë, ata harrojnë të tregojnë se fitimet e tyre janë shumë të larta. Punëdhënësit dhe biznesmenët duan të pasurohen brenda natës, duke e mbajtur standardin e jetesës së popullit në pragun e varfërisë. Ky lloj kapitalizmi i egër që po krijohet tek ne, po i dëbon qytetarët nga shteti sepse këtu punëtori duhet të punojë vetëm për të paguar faturat. Kjo pabarazi e thellë që po krijohet me kapitalizmin e egër po krijon një grup të vogël të pasurish, një elitë që pasurohet shpejt, ndërsa shumica e popullit mbetet në prag të varfërisë.
Dhe ku është shteti në gjithë këtë mes? Gjatë gjithë 36 viteve demokraci, të gjitha partitë politike, të djathta apo të majta, gjithmonë kanë qenë shumë të afërta me pronarët e kompanive të mëdha, ndërsa për jetesën e qytetarit nuk janë interesuar fare. Këtë e pamë më së miri vitin e kaluar, kur Gjykata Kushtetuese e anuloi Ligjin për Tatimin e Solidaritetit. Si rezultat, shteti duhej t’u kthejë mbi 50 milionë euro plot 156 kompanive të mëdha. 50 milionë euro u kthyen te më të pasurit brenda natës dhe askush nuk reagoi! Kjo heshtje dëshmoi qartë lidhjen e ngushtë të politikës me biznesmenët e fuqishëm.
Shteti ynë me kushtetutë e quan veten shtet social, por nuk mund të jesh social me çmime të larta në treg. Në shoqërinë tonë e cila është e ndërtuar mbi vlerat tradicionale dhe morale, duhet të mbisundojë drejtësia. Dhe drejtësia është kur rritja e fitimeve të kompanive reflektohet edhe në rritjen e pagës së punëtorit. Nuk mund të ketë as shtet e as ekonomi nëse qytetarët nuk jetojnë jetë cilësore. Pagat duhet të jenë të tilla që t’i mundësojë qytetarit të ketë një standard të paktën mesatar të jetesës. Nëse qytetari jeton duke numëruar ditët deri në fund të muajit, atëherë ai shtet dhe ajo shoqëri janë të destinuar të dështojnë.




