Komisioni nuk debaton për ligjin për lojrat e fatit

Deputetët edhe sot e shtynë debatin në Komisionin për Financa mbi propozim-ligjin për lojërat e fatit. Tashmë disa ditë me radhë ky Propozim-ligj shtyhet për shkak të mungesës së kuorumit.

Këtë e konfirmoi kryetarja e Komisionit të Financave dhe Buxhetit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Liljana Kuzmanovska.

Propozimi i deputetëve të BDl-së është që ligji të mundësojë që objektet që ofrojnë lojërat e fatit të zhvendosen nga vendbanimet të paktën tre kilometra.

Shoqata e basteve sportive vlerëson se kjo do t’i japë fund kësaj industrie dhe se mbi shtatë mijë punonjës do të mbeten pa punë.

Ndërsa nga shoqata kundër lojërave të fatit njoftuan se nëse nuk miratohet ligji deri të dielën, do të fillojnë me padëgjueshmëri qytetare dhe bllokim të rrugëve.

“Duam t’ua bëjmë me dije se ata në atë funksion nuk kanë rënë nga qielli, por janë zgjedhur nga populli. Prandaj, ata duhet të miratojnë një ligj që do të mbrojë mirëqenien e popullatës dhe do të mbrojë votën që i solli ata aty ku janë”-tha Xhemal Abdiu, Lëvizja Antibixhoz.